Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që të gjithë ata që kanë keqpërdorur vota të përfundojnë në burg.
Për këtë arsye, Haradinaj ka thënë se kërkojnë rinumërimin e plotë të votave.
Ai ka thënë se nuk e kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve porse nuk sheh arsye që dikush të dalë kundër rinumërimit.
“Ndërtimi i institucioneve duhet të bëhet sa më shpejtë, pra ne nuk kontestojmë rezultatin zgjedhor, përqindjen tonë apo të VV-së, LDK-së, PDK-së apo partive të tjera dhe nuk shoh arsye që dikush me dalë kundër rinumërimit përpos nëse keqpërdorime për të cilat nuk dinë opinioni”, ka thënë ai.
Ai tha se janë të shqetësuar nga keqpërdorimet me vota në zgjedhjet e fundit, e në të cilën dyshohet se ishte e përfshirë edhe ish-anëtarja e kësaj partie, Meliza Haradinaj-Stublla.
“Sa i përket procesit zgjedhor i falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë kontribuar që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Rezultati është pranuar nga të gjitha partitë. Poashtu edhe ne jemi të shqetësuar me keqpërdorimet që kanë ndodhur në disa raste, nga disa komisionerë të pandërgjegjshëm. Kërkojmë nga organet e rendit dhe nga hetuesia që kriminelët e votave të përfundojnë në burg”, ka thënë ai.