Nga të shtënat me armë zjarri në rrugën ‘Nuhi Gashi’ në Podujevë kanë mbetur të plagosur tre persona, ndër ta një kalimtar rasti. Tre të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital, raporton Gazeta Sinjali.
Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, ka bërë të ditur për Sinjalin se atje janë dërguar për ndihmë mjekësore tre persona të moshave 30-40 vjeç.
Sipas Sylës, gjendja e tyre shëndetësore për momentin është stabile dhe janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur para objektit të Gjykatës në Podujevë, ku personat e përfshirë në rast kishin qenë pjesë e një seance gjyqësore për shkak të një plagosjeje që kishte ndodhur mes tyre gjatë vitit të kaluar në fshatin Gllamnik.
Komandanti i stacionit policor në Podujevë, Njazi Jashari, tha për Sinjalin se të dyshuarit janë identifikuar dhe janë marrë të gjitha veprimet hetimore për t’i kapur ata.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me të gjitha detajet e reja lidhur me rastin.