Drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Zaim Thaçi ka thënë se gjinekologu i infektuar me koronavirus nga Komuna e Podujevës është në gjendje të mirë shëndetësore dhe gjendet në vet izolim në banesën e tij private në Prishtinë.
“Mbrëmë na ka ardhur një njoftim nga IKSHP se një banor që është i regjistruar si banues në Komunë e Podujevës ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Në fakt ai vepron dhe punon në QKUK në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë. Ai punon atje dhe e ka banesën e vet që banon atje. Ai mund të llogaritet që është nga Podujeva por vendbanimin që një kohë e ka në Prishtinë ku edhe vepron”, ka thënë Thaçi për RTV Dukagjini.
Ai thotë se prej disa javësh asnjë qytetar nga kjo komunë nuk është referuar për testim.
Podujeva zyrtarisht numëron 5 raste të prekura me COVID-19, katër nga të cilët janë raportuar si të shëruar plotësisht ndërsa edhe rasti i pestë duhet se nuk e ka prekur territorin e kësaj komune pasi personi i prekur banon në Prishtinë./Gazeta Sinjali/