Për herë të parë në QKUK, mbrëmë është kryer një intervenim, ku është përdorur stenta retriever në tru. Pacientja 70 vjeçare me paralizë të anës së majtë, sot ka kthyer në masë të madhe funksionimin e dorës dhe këmbës së majtë.
Ky intervenim është udhëhequr nga drejtori i Radiologjisë, në bashkëpunim me ekipin e anesteziologjisë, neurologët dhe mjekët emergjent.
“Në anën tjetër pacienten e fundit që e kemi punuar dje, ishte një zonjë 70- vjeçare, e cila ka humbur lëvizshmërinë e gjysmës së majtë, dorën dhe këmbën. Dhe në kuadër të dritares kohore, ne arritëm që të hyjmë ta heqim trombin, kësaj radhe duke aplikuar edhe një metodë më të avancuar, të kombinuar me përdorim të stentës retrieve, e cila është një mjet që e kap dhe na ndihmon me tërheq trombin. Ky është rezultat i aktiviteteve të shumta, investimeve të shumta, si personale ashtu edhe institucionale që janë kryer me vite dhe së fundi nga viti i kaluar që u bën ato investime në aparatura dhe në mjete, si dhe në materiale shpenzuese dhe bashkë me Klinikën e Neurologjisë, anestezionit, emergjente si dhe në bashkëpunim me mbrojtjen primare, të cilët duhet ta zënë pacienten”, tha drejtori i Radiologjisë Bujar Gjikolli.
Gjikolli thotë se për disa ditë, kjo paciente do të lirohet nga Klinika e Neurologjisë.
Për gjendjen e 70-vjeçares ka folur edhe mjeku kujdestar, Fatmir Ramaxhiku.
“Është në gjendje mjaft të përmirës uar për dallim se si ka qenë dhe shpresoj që do të shkoj sipas parametrave vital, siç janë edhe tash…Unë nga aspekti neurologjik jam mjaft i kënaqur me gjendjen e saj”, tha ai.
Arsim Bullatovci, i cili është djali i pacientes 70-vjeçare, tregon se ky intervenim ka zgjatur 1 orë e gjysmë, dhe se gjendja e nënës së tij një ditë më parë ka qenë shumë e rëndë
“Ne e kemi nënën këtu, e kemi sjellë me një gjendje shumë të rëndë, e cila ka pasur një sulm në tru. Por, falë QKUK-së, stafit mjekësor dhe në krye me mjekun Bujar Gjikolli kanë kryer një intervenim shumë të shpejtë dhe ka pasur sukses”, tha ai.
Stenta retrievere është një produkt shumë i avancuar i cili ndihmon në kapjen dhe tërheqjen e trombit (gjakut të ngjizur) dhe rihapjes së enës së gjakut. Me rivendosjen e qarkullimit të gjakut në enën e mbyllur, mundësohet të furnizohet me ushqim dhe oksigjen pjesa e trurit, e cila është e rrezikuar të dëmtohet, me çka i rikthehen funksionet të cilat filluan të humbin, varësisht nga regjioni i dëmtuar i trurit./ Gazeta Sinjali/