Liderët e Bashkimit Evropian bashkë edhe me shtetet anëtare në konsultim edhe me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët pas Samitit të Bërdos të mbajtur në Slloveni.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se Bashkimi Evropian ka përsëritur mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Deklarata e Bërdos, 6 tetor 2021
Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE-së) dhe të Shteteve të tij Anëtare, në konsultim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe ndërkombëtare, sot arrijmë në përfundimin e mëposhtëm:
1. BE-ja riafirmon mbështetjen e saj të qartë për Perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në perspektivën evropiane, e cila është në interesin tonë strategjik reciprok dhe mbetet zgjedhja jonë e përbashkët strategjike. BE-ja konfirmon angazhimin e vet në procesin e zgjerimit dhe vendimet e marra prej saj për këtë, bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe parimi i meritave të veta. Ne do të intensifikojmë më tej angazhimin tonë të përbashkët për të çuar përpara transformimin politik, ekonomik dhe social të rajonit, duke njohur ndërkohë progresin e bërë nga Ballkani Perëndimor. Ne kujtojmë gjithashtu rëndësinë se BE-ja të mund të mbajë dhe thellojë zhvillimin e saj, duke siguruar kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj.
2. Partnerët e Ballkanit Perëndimor përsërisin përkushtimin e tyre ndaj vlerave dhe parimeve evropiane dhe realizimit të reformave të nevojshme në interes të popujve të tyre. BE përshëndet angazhimin e përsëritur të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për parësinë e demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore dhe sundimit të ligjit, dhe vazhdimin e përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbështetjen për mirëqeverisjen, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga zbatimi kuptimplotë i reformave të nevojshme, dhe ndërtimi i një historie të qëndrueshme të mbështetur nga komunikimi publik i qartë dhe i qëndrueshëm. Një shoqëri civile dhe media e pavarur dhe pluraliste janë komponentët vendimtarë të çdo sistemi demokratik dhe ne mirëpresim dhe mbështesim rolin që ata luajnë në Ballkanin Perëndimor.
3. BE-ja është deri tani partneri më i afërt i rajonit, investitori kryesor dhe donatori kryesor. Shkalla dhe diapazoni i paprecedentë i kësaj mbështetjeje duhet të njihet dhe të përcillet plotësisht nga partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik.
4. Mbështetja e BE-së do të vazhdojë të jetë e lidhur me progresin e prekshëm në sundimin e ligjit dhe në reformat social-ekonomike si dhe me respektimin e vlerave, rregullave dhe standardeve evropiane nga partnerët.
5. BE-ja mbështet plotësisht angazhimin e riafirmuar të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me Shtetet Anëtare të BE-së. Mbetet i rëndësishëm zbatimi në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme i marrëveshjeve dypalëshe, ku përfshihen Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati për Marrëdhëniet e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë. Nevojiten përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe për çështjet midis partnerëve që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë dhe çështjet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës.
6. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun BeogradPrishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dyja Palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis tyre, i cili është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që ata të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.
COVID-19
7. Kriza e COVID-19 vazhdon të ketë një ndikim të rëndë në shoqëritë dhe ekonomitë tona. Ajo thekson nevojën dhe avantazhet e partneritet tonë të ngushtë dhe efektiv. BE-ja, së bashku me shtetet e saj anëtare, ka qëndruar pranë Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë pandemisë, me mbështetje shëndetësore dhe social-ekonomike për rajonin që arrin një vlerë të paprecedentë prej 3,3 miliardë euro deri më tani. Partnerët e Ballkanit Perëndimor janë të përfshirë ngushtë në nismat e BE -së, veçanërisht Komiteti i Sigurisë Shëndetësore, Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm, Korridoret e Gjelbra dhe Marrëveshja e Përbashkët e Prokurimit për kundërmasat mjekësore. BE -ja është e gatshme të përmirësojë më tej aksesin në vaksina, diagnostikime dhe terapi dhe të sigurojë një parashikueshmëri dhe rezistencë më të mirë ndaj krizave të ardhshme.
8. BE-ja çmon edhe mbështetjen me vlerë që ka dhënë Ballkani Perëndimor gjatë epidemisë për njëri-tjetrin dhe kundrejt BE-së. Ajo pasqyron solidaritetin dhe mbështetjen e ndërsjellë mbi të cilën është ngritur BE-ja. Ky bashkëpunim dhe bashkërendim duhet të vazhdojë në të ardhmen, duke përfshirë edhe në fazën e rimëkëmbjes.
9. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me furnizimin me vaksina. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë siguruar 2,9 milionë doza vaksine përmes kanaleve të ndryshme për Ballkanin Perëndimor, me më shumë që janë duke ardhur. BE-ja do të mbështesë planet e vaksinimit të të gjithë partnerëve për të ndihmuar në arritjen e normave të ngjashme të vaksinimit me mesataren e BE-së deri në fund të vitit 2021.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor
10. Pas thirrjes së Udhëheqësve në Samitin e Zagrebit, BE-ja parashtroi një Plan Ekonomik dhe Investimi (PEI) dhe udhëzime për Zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Plani përcakton një paketë të konsiderueshme të investimeve që mobilizon rreth 30 miliardë euro për rajonin gjatë shtatë viteve të ardhshme, e përbërë nga 9 miliardë euro në financimet me grante dhe 20 miliardë euro në investime, të shfrytëzueshme përmes Instrumentit të ri të Garancisë së Ballkanit Perëndimor. Maksimizimi i ndikimit të mundshëm të PEI-së kërkon që partnerët e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin me vendosmëri reforma ekonomike dhe sociale, si dhe të forcojnë sundimin e ligjit. Plani mund të nxisë rikuperimin dhe aftësinë konkurruese të gjelbër social-ekonomike të rajonit në planin afatgjatë, të mbështesë tranzicionin e saj të gjelbër dhe dixhital, të nxisë lidhshmërinë e qëndrueshme, integrimin rajonal, tregtinë, duke forcuar kështu edhe bashkëpunimin dhe konvergjencën me BE-në, duke përfshirë me objektivat e BE-së të lidhura me klimën.
11. Ne mirëpresim miratimin e fundit të kuadrit ligjor për zbatimin e IPA1 III, i cili do të vazhdojë të jetë burimi kryesor i asistencës financiare për rajonin, përfshirë edhe për PEI-në. Komisioni synon të propozojë një paketë investimi prej 600 milionë eurosh sipas IPA 2021 për implementimin e EIP-së për Ballkanin Perëndimor, sipas procedurave në përputhje me kornizën e programit të IPA III dhe rregullave të implementimit. Së bashku me propozimin e 500 milionë eurove të njoftuar në korrik, kjo do të ofronte një total prej 1,1 miliardë për implementimin e EIP-së deri në fund të vitit 2021.
12. Duke pranuar angazhimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor për të zbatuar plotësisht Axhendën e Gjelbër, ne mirëpresim marrëveshjen për Planin përkatës të Masave. Në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër, Axhenda është një nxitës kryesor për kalimin në ekonomi moderne, neutrale ndaj karbonit, rezistente ndaj klimës dhe me efikasitet të burimeve, për të zhbllokuar potencialin e ekonomisë qarkulluese, për të luftuar kundër ndotjes dhe për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve. Zbatimi i tij i suksesshëm do të kërkojë një angazhim të fortë nga rajoni. Është thelbësore të përqendrohen përpjekjet për të siguruar një tranzicion në kohë dhe efektiv larg qymyrit përmes përdorimit të lëndëve djegëse të rinovueshme ose më pak intensive me karbonin. Siguria e energjisë duhet të kthehet gjithashtu në përparësi, bashkë me diversifikimin e burimeve dhe linjave. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë rajonin në zbatimin e Axhendës së Gjelbër dhe zhvillimin e një politike për çmimin e karbonit në kontekstin e Mekanizmit të BE-së për Rregullimin e Kufijve të Karbonit (CBAM), duke përfshirë përmes asistencës teknike dhe financiare.
13. PEI-ja mundëson një vrull të ri për të rritur lidhshmërinë në të gjitha dimensionet e saj, si brenda Ballkanit Perëndimor ashtu edhe me BE-në. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin rajonal gjithëpërfshirës. Nevojiten përpjekje të mëtejshme dhe vendimtare nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur angazhimin e tyre për të krijuar një Treg të Përbashkët Rajonal, siç u ra dakord në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje në vitin 2020. Kjo do të ndihmojë në avancimin e rajonit në rrugën e tij evropiane dhe do të japë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Shfrytëzimi i potencialit të integrimit ekonomik rajonal gjithëpërfshirës është thelbësor për të nxitur rimëkëmbjen social-ekonomike të rajonit dhe për të maksimizuar përfitimin nga investimet që rrjedhin nga PEI-a. Nevojitet një angazhim i fortë nga i gjithë rajoni për të përfunduar me shpejtësi negociatat rajonale përkatëse.
14. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor bien dakord të shtojnë përpjekjet për të rritur integrimin e tregut të Ballkanit Perëndimor me Tregun e Përbashkët të BE-së. Në këtë aspekt, PEI-a siguron një bazë solide për të vënë në funksionim integrimin e tregut të rajonit brenda Tregut të Përbashkët të BE-së, veçanërisht në fusha të tilla si pagesat ndërkufitare (SEPA), mallrat industriale dhe të konsumit, tregtia elektronike dhe doganat.
15. Transporti i qëndrueshëm është një gur themeli i integrimit ekonomik dhe social të BEsë dhe Ballkanit Perëndimor. Është një përparësi për të zhvilluar më tej lidhshmërinë e transportit – brenda rajonit dhe me BE-në, për të përmirësuar efikasitetin dhe sigurinë e shërbimeve të transportit, si dhe për të arritur objektivat e lëvizshmërisë së gjelbër dhe të qëndrueshme, veçanërisht në lidhje me hekurudhat dhe lidhjet e brendshme me rrugë ujore. Në kontekstin e lidhjes së qëndrueshme, ne mirëpresim Planet e Veprimit të Komunitetit të Transportit të miratuara kohët e fundit për hekurudhën, rrugën, sigurinë në rrugë, lehtësimin e transportit dhe transportin ujor.
16. Duke u bazuar në zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes Rajonale të roaming-ut dhe fillimit të regjimit pa roaming në Ballkanin Perëndimor që nga 1 korriku 2021, ne mirëpresim udhërrëfyesin për roaming-un, i cili do të krijojë kushtet dhe objektivat e përcaktuara qartë për uljen e kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
17. Ne mirëpresim konceptin e Korsive të Gjelbra BE-Ballkani Perëndimor dhe mbështesim zbatimin e tij praktik në të gjithë kufijtë përkatës duke respektuar plotësisht acquis-in dhe procedurat e kërkuara të BE- së.
18. Sot prezantohet një Axhendë për Inovacionin, Kërkimet, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet – Axhenda për Inovacionin për Ballkanin Perëndimor. Ajo do të promovojë përsosmërinë shkencore, si dhe reformimin e sistemeve të arsimit të rajonit, do të krijojë mundësi të mëtejshme për të rinjtë, dhe do të ndihmojë në parandalimin e fenomenit të rrjedhjes së trurit. Ne presim me padurim implementimin e shpejtë të Planit të tij të Masave.
Bashkëpunimi Politik dhe i Sigurisë
19. Qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik e partnerëve tanë. Prandaj, ne ritheksojmë pritshmërinë tonë që partnerët do të thellojnë më tej bashkëpunimin në fushën e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (PPJS) dhe do të bëjnë përparim konkret dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me pozicionet e politikës së jashtme të BE-së dhe do të veprojnë përkatësisht, duke përfshirë pozicionet në forume ndërkombëtare si pjesë e rëndësishme e rrugës së tyre evropiane. Ne e mirëpresim që disa partnerë tashmë janë plotësisht në përputhje me të gjitha vendimet dhe deklaratat e PPJS-së dhe i inkurajojmë ata që të vazhdojnë të veprojnë kështu. BE-ja është e gatshme të forcojë më tej dialogun politik mbi çështjet që lidhen me PPJS-në.
20. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor ndajnë një sërë sfidash sigurie që kërkojnë veprime të bashkërenduara. Ne biem dakord të forcojmë bashkëpunimin tonë në çështjet kryesore të sigurisë, duke përfshirë në nivelin operacional, duke u bazuar në punën e bërë sipas Axhendës së Prioriteteve të Sofjes. Partnerët tanë premtojnë të demonstrojnë angazhimin e tyre ndaj sigurisë sonë të përbashkët dhe të vazhdojnë të zhvillojnë instrumente efektive për bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor. Ata kanë dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj CSDP-së, duke kontribuar në misionet dhe operacionet e BE-së, dhe ne do të punojmë së bashku për të zhvilluar më tej aftësitë dhe kapacitetet e tyre, veçanërisht përmes Instrumentit Evropian të Paqes. BE-ja do të rrisë angazhimin e saj edhe në fusha të tilla si hapësira dhe lëvizshmëria ushtarake për të lehtësuar aksesin e ndihmës civilo-ushtarake në rajon në rastin e pandemive dhe fatkeqësive natyrore.
21. Ne do të përforcojmë bashkëpunimin tonë në adresimin e dezinformimit dhe kërcënimeve të tjera hibride që burojnë veçanërisht nga aktorë të shteteve të treta, të cilët kërkojnë të minojnë perspektivën evropiane të rajonit. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të përforcojnë bashkëpunimin në ndërtimin e rezistencës, në rritjen e sigurisë sonë kibernetike dhe diplomacisë kibernetike dhe në rritjen e ndikimit të komunikimit tonë strategjik.
22. Ne i përgëzojmë partnerët tanë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme dhe bashkëpunimin konstruktiv mbi migracionin, të cilat kanë dhënë rezultate të qarta. Menaxhimi i migracionit është një sfidë e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë.
23. Bashkëpunimi ynë në adresimin e sfidave të migracionit ka demonstruar vlerën e tij dhe do të zhvillohet më tej. BE-ja është e gatshme të vazhdojë angazhimin e saj dhe të forcojë mbështetjen e saj përmes një qasjeje të posaçme dhe gjithëpërfshirëse. Fushat e fokusit duhet të përfshijnë përmirësimin e sistemeve të azilit, trajtimin e kontrabandës së migrantëve dhe migrimit ilegal, proceset e kthimit, menaxhimin e kufirit, shkëmbimin e informacionit dhe kapacitetin e pritjes. Partnerët duhet të punojnë edhe më tej për të përmirësuar sistemet e kthimit, duke përfshirë lidhjen e marrëveshjeve të ripranimit me vendet kryesore të origjinës. Bashkëpunimi i ndërsjellë për kthimin do të thellohet, duke maksimizuar përdorimin e kornizave ekzistuese dhe kanaleve në dispozicion. Bashkëpunimi gjithashtu duhet të intensifikohet me Frontex, Zyrën Evropiane për Mbështetjen e Azilit dhe Europol. Marrëveshjet ende të panënshkruara statusore të Frontex-it duhet të nënshkruhen pa vonesë.
24. Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës në Afganistan, BE-ja do të punojë ngushtë me të gjithë partnerët e saj, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor për të trajtuar sfidat në zhvillim dhe për të koordinuar përgjigjet e përbashkëta, sipas rastit.
25. Terrorizmi, radikalizimi dhe krimi i organizuar vazhdojnë të përbëjnë kërcënime serioze sigurie për BE-në dhe për të gjithë rajonin. Ne bëjmë thirrje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke përfshirë parandalimin e financimit të terrorizmit dhe të radikalizimit. Ne ritheksojmë rëndësinë e marrjes së masave të vendosura për të adresuar krimin e rëndë dhe të organizuar, në veçanti trafikimin dhe kontrabandën e qenieve njerëzore, pastrimin e parave, kultivimin dhe trafikimin e drogës.
26. BE-ja është plotësisht e angazhuar për të parandaluar tregtinë e paligjshme dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe municioneve të tyre, dhe do të vazhdojë të mbështesë Ballkanin Perëndimor në këtë fushë, duke përfshirë në kontekstin e udhërrëfyesit të dedikuar të Ballkanit Perëndimor kundër trafikimit të paligjshëm të armëve të zjarrit.
27. Për të promovuar më tej interesat tona të përbashkëta, ne shprehim gatishmërinë tonë për të ripërtëritur dhe rritur dialogun e rregullt politik me rajonin. Në këtë kontekst, ne mirëpresim mbajtjen e Samiteve BE-Ballkani Perëndimor si ngjarje të rregullta. Ne presim me padurim samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet në vitin 2022.
28. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të punojnë së bashku për t’u përballur me detyrat që janë përcaktuese për brezat. Ne mirëpresim nismat e Ballkanit Perëndimor për të kontribuar për reflektimet mbi të ardhmen e kontinentit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për të dëgjuar të gjithë evropianët për çështjet që kanë rëndësi për të gjithë ne – mbrojtjen e qytetarëve dhe lirive, zhvillimin e një baze të fortë dhe të gjallë ekonomike, avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, sundimin e ligjit, Evropën e drejtë dhe sociale, forcimin e rezistencës së Evropës, si dhe rolin kryesues global të Evropës.
29. Përshëndesim faktin që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor janë dakord me pikat e mësipërme. /GazetaSinjali/