Debati i mbrëmshëm politik parazgjedhor në një studio televizive ka përfunduar me përleshje fizike mes dy kandidatëve për deputetë, Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit.
Në këtë debat përveç Molliqajt nga koalicioni PSD-AAK dhe Abazit nga Vetëvendosje kishin qenë të ftuar edhe Rexhep Hoti nga PDK dhe Endrit Shala nga koalicioni Nisma, AKR, PD. Tensione që nga fillimi debatit kishte pasur mes Molliqajt dhe Abazit, raporton Sinjali.
Në fakt në rastin e parë kur Molliqaj mori fjalën, ai kritikoi autorin e emisionit duke thumbuar kështu Haki Abazin nga VV. Ai tha se herën e kaluar i kishte kërkuar moderatorit të emisionit që të ftonte njerëz nga VV dhe jo analist siç pretendonte se është Haki Abazi nga VV.
Nga aty kishte ndërhyrë Abazi disa herë duke penguar fjalën e Molliqajt. Ish-sekretari organizativ i VV-së, tani anëtar i PSD-së, kishte kërkuar disa herë nga Abazi që ta lejojë të flas dhe të mos zhvillohet debati me zhurmë.
Abazi kishte insistuar në një gjë të tillë duke debatuar përsëri. Pas kësaj Molliqaj ka shpërthyer me akuza ndaj Abazit, ashtu sikurse anëtari i ri i VV-së ndaj Molliqajt.
Molliqaj ka akuzuar Abazin se është profiter, përfitues, interesgji dhe madje sipas tij nuk ka lënë gjë pa bërë nga pozita civile që kishte pasur. Ai thotë se kishte pasur përpjekje që ta ndante Vetëvendosjen.
Në anën tjetër Abazi e kishte quajtur Molliqajn të padijshëm dhe tradhtar. Thoshte se Molliqaj kishte tradhtuar votën e qytetarëve.
E momenti kulmor erdhi kur Dardan Molliqaj i tha Abazit se sonte do ta shohë në ëndërr pasi e ka përmendur gjatë tërë kohës.
“Veç një batutë po e lshoj, qysh ja ka nis Hakia me më përmen shpesh, tutna edhe andërr don me m’pa sonte”, tha Molliqaj.
Kurse Haki Abazi ia ktheu, duke i thënë se “ty as gruaja jote nuk të sheh në ëndërr”.
“E mira që ti s’je i vetmi Dardan, ty nuk të shoh në andërr kurrë, ty as gruaja jote nuk të sheh në andërr”, i tha Abazi.
Abazi iu drejtua Molliqajt duke i thënë që të mos e thërrasë Hakia, pasi është gjini femërore por ta thërrasë Hakiu.
Kurse Dardan Molliqaj ia ktheu se “edhe dukesh pak si femër”.
Pas kësaj tensionet u ngritën edhe më tej, ku dy mysafirët Abazi dhe Molliqaj, vazhduan duke fyer njëri-tjetrin.
Ndërsa pas përfundimit të pjesës së parë të emisionit Abazi dhe Molliqaj i kanë qëruar hesapet fizikisht.
Abazi së fundmi nga shoqëria civile është anëtarësuar në VV dhe është kandidat për deputet, duke mbajtur numrin 8 në listë zgjedhore që dikur e mbante Molliqaj. Ndërsa Molliqaj sa kishte qenë pjesë e VV-së njihet për nxjerrjen nga vetura të shoferit të veturës zyrtare, ku më pas ajo veturë ishte shkatrruar nga aktivistët.
Pjesë së debatit mes Molliqajt dhe Abazit:
DARDAN MOLLIQAJ: Kësaj radhe se ke mbajt premtimet dhe dua me ta dhanë një kritikë që nuk e ke mbajt premtimin sepse herën e fundit të kam thënë me e thirre dikë prej VV-së edhe unë prapë kam një analist përballë i cili pretendon se është në VV.
Përndryshe kam me e ndërruar qasjen dhe me ardhur në atë debatin me analistë sepse më VV është Jusuf Thaçi i cili ka përkrahur gjithmonë VV-në publikisht. Ma shumë mundem me fol për VV-në me të, sesa me këtë që po e sjell ti.
Kjo është strategji e tyre dhe e di pse po e bëjnë. Unë nuk kam preferencë se kë ta sjellin, por sa herë po më thirrni po vi për të treguar se jam gati për të debatuar. Kisha pas qejf me pas me kënd me debatuar. Më me qejf isha ardhur me Jusuf Thaçin për shkak se kam respekt për mendimin e tij ndonëse nuk pajtohem, por prapë kam respekt për mendimin e tij.
HAKI ABAZI: Pse duhesh me fol ti për VV-në?
DARDAN MOLLIQAJ: Ngadal more mos u bë nervoz pije do ujë qaty.
HAKI ABAZI: Ti se meriton me fol me VV-në. Ti duhesh me fol me qytetarët.
DARDAN MOLLIQAJ: Nëse mundesh me u përmbajt sepse nëse dëshiron debatojmë edhe me zhurmë.
DARDAN MOLLIQAJ: OK, besoj që Agim Bahtiri nuk e ka tradhtuar votën, por është qytetar progresiv.
HAKI ABAZI: Agim Bahtiri ka ardhur tek vlera, ndërsa ti ke shkuar tek haraçi.
DARDAN MOLLIQAJ: Meqenëse po dëshiron me e bë debatin kështu atëherë. A po don me fol me zhurmë?
HAKI ABAZI: Me çka dush flasim, por mos bëjë manipulime.
DARDAN MOLLIQAJ: Të kisha propozuar me dëgjuar, përndryshe debatojmë me zhurmë.
HAKI ABAZI: Agim Bahtiri ka ardhur tek koncepti i mos ndarjes së Kosovës, ti ke shkuar tek haraçi yt që e ke cilësuar.
DARDAN MOLLIQAJ: Edhe një herë po të lutëm me e bë debatin pa zhurmë. Kështu pra Haki ti je një servil, ti je një profiter, a din si je ti të tregon Rexhep Hoti këta personat që nuk luftuan në luftë dhe vetëm erdhën me i vesh teshat.
HAKI ABAZI: Fëmijë je kanë ti nuk e mbanë mend.
DARDAN MOLLIQAJ: Unë kam qenë në luftë për dallim prej teje dhe prej babës tënd që ka vazhduar me mbajt punën përkundër masave të dhunshme, unë kam qenë në luftë.
HAKI ABAZI: Rren është kjo.
DARDAN MOLLIQAJ: Ti Haki a din çka je. Ti je produkti kryesor i shoqërisë civile që nuk ke lënë gjë pa zhvat e nuk ke lënë gjë pa bë. Në 2012 Haki abazi më thërriste personalisht në telefon me ba Ramushin kryeministër. U sjellke nëpër zyre të AAK-së
HAKI ABAZI: Ajo ka qenë kohë e VLAN-it. Kjo është rren tipike e Dardan Molliqajt.
DARDAN MOLLIQAJ: Haki Abazi le vetëm që nuk e përfaqëson VV, por ka qenë iniciatori kryesor për ndarjen e VV-së që prej ardhjes së FER-it. Albin Kurti në prezencë time e ka akuzuar për largimin nga VV përkatësisht të Flamur Istrefit.
HAKI ABAZI: Për shkak të rrenave tua. Ato janë rrena tuat.
DARDAN MOLLIQAJ:A ti kam thënë këto unë apo ai?
HAKI ABAZI: Këto janë storje tua.
DARDAN MOLLIQAJ: Sa e-maila i kë dërguar për me e nda vetëvendosjen.
HAKI ABAZI: Ti je një matrapaz që dëshiron me e çu debatin në sene të pa rëndësishme.
DARDAN MOLLIQAJ: Ti je një interesgji. Unë po flas me Hakin se nuk mundem me fol me VV-në. Të pata lut [me e ftuar dikë nga VV v.j] por tash po i hyjmë kësaj teme.
DARDAN MOLLIQAJ: Haki Abazi e sulmon VV në 2017 sa të mundet dhe vjen sot…
HAKI ABAZI: Ti e ke nda VV-në.
DARDAN MOLLIQAJ: Unë nuk jam servil si ti.
HAKI ABAZI: Pse more po merresh me punë të mija.
DARDAN MOLLIQAJ: Ti ke shkuar në VV nëse të bëjnë ministër të Jashtëm ose kryetar të Ferizajt.
HAKI ABAZI: Këto janë gënjeshtra.
DARDAN MOLLIQAJ: Ti Haki ke shkuar për interesa. Sa pare ke ble shtëpi për OJQ.
HAKI ABAZI: Ato janë investime
DARDAN MOLLIQAJ: 1 milion euro Haki. Kur e ke çu familjen prej Prishtinës në Amerikë. Dy ditë pasi ka humbë FER-i e merr familjen dhe shkon në Amerikë. Ti e mbron Kosovën a? Ti veç këqyr ku mundesh me e ngjye kapak e Albin Kurtit që është Hashim Thaçi i ri i merr profiterët që ua mundëson me ngjye kapak.
DARDAN MOLLIQAJ:A din cila është e përbashkëta e jote me Albinin. Nuk keni asnjë shok bre krejt shokët prej gjimnazit të fakultet dhe krejt shokët ju kanë tradhtuar. Dhe vete Haki Abazin se cili shok e ka ndjek, asnjë nuk është, krejt e kanë lënë.
HAKI ABAZI: Po çka të vyen shoku si ti që të tradhton. Njeri që e ka tradhtuar votën e vetë, më thotë mua se kam tradhtuar.
DARDAN MOLLIQAJ: Ti je paranojak si Albini se gjithë kohën mendoni që dikush ka me ju tradhtuar, për këta ju tradhtojnë.
HAKI ABAZI: Ti je tradhtar i votës teme. Votën teme e ke çu tek harraqi.
DARDAN MOLLIQAJ:A ma ke dhanë votën a?, pse bre po rren. Haki pse po rren, ti ke thanë se e ke votuar LDK-në.
HAKI ABAZI: Po ti je matrapaz pse po rren nuk mundesh me më thanë rrena në publik.
DARDAN MOLLIQAJ: Sa i takon haraçit ti je kanë i përfshimë. Leo a po don me debatu edhe me ty tash a se nuk po më len me fol
DARDAN MOLLIQAJ:A mundesh bre mos me bërtit kaq shumë.
HAKI ABAZI: A din pse Kosova ka ardhur këtu. Sepse çifti yt merret me rrena dhe me manipulim
DARDAN MOLLIQAJ:A ki ndonjë gjë me zhvat. A pot bëjnë ministër. Leje se të njohim na Haki se nuk je kanë në gjendje me shkuar në burg. Ne e dimë që t’i ke shkuar për me përfituar. Ti je profiter.
DARDAN MOLLIQAJ: Nuk ka asnjë mundësi që VV me fitu. Ju jeni kapur me LDK-në dhe qysh ua ka ngul para zgjedhjeve ashtu do t’ua ngul edhe pas zgjedhjeve. Unë vetëm po të tregoj se ti je një profiter qysh kanë qenë shumë profiter pas lufte.
DARDAN MOLLIQAJ: Kur të kemi lut me ardhur me u sakrifikuar nuk ke guxuar, ke ik dhe na ke sha.
HAKI ABAZI: E din populli se si jam unë.
DARDAN MOLLIQAJ:E di edhe unë më së miri se të kam lut.
HAKI ABAZI: Po ama ti je tradhtar i votës së qytetarëve.
Tensionet e tjera gjatë debatit:
HAKI ABAZI: A e ke lexuar apo e ke dëgjuar ndokund.
DARDAN MOLLIQAJ: Përmbaju more, përmbaju. Ani kush po flet për lexim, ti as me shkru nuk din.
HAKI ABAZI: Duhesh me ja nis me lexuar kapak Dardan se me të dëgjuar i ki këto.
DARDAN MOLLIQAJ:A i ke fshi ato imella. A e din që Rugoven e kanë helmuar. Qysh guxoj unë me bë debat me një njeri që publikisht ka shkruar se Rugova është helmuar. Paramendo sa serioze është situata. Me këtë njerëz që krejt shokët e vet i quajnë tradhtar njëjtë sikurse lideri i tyre. Librat t’i çojë çfarë thonë për ata persona që i quajnë krejt shokët tradhtarë janë njerëz autoritar dhe me probleme psikike.
HAKI ABAZI: Kon je tu deshtë me mbrojte ti Albinin a?
DARDAN MOLLIQAJ: Jo more unë po dua me tregu që ti je një profiter siç ka qenë PDK-ja dhe munden me të tregu se si ja kanë bë.
DARDAN MOLLIQAJ: Unë kësaj radhe dëgjova dhe besoj që më dëgjoni edhe mua.
Përplasja e fundit:
Haki Abazi: … shembull sondazhet e fundit PSD-AAK është 13.8 nuk munden me u hedh sy qytetarëve.
DARDAN MOLLIQAJ: Sa është LDK, VV, PDK-ja, a keni bë matje. Sa është shifra jote zotëri? A po dilni të katërtit apo të tretit?
DARDAN MOLLIQAJ:A jep dorëheqje edhe ti sikurse unë nëse nuk je i pari?
DARDAN MOLLIQAJ:A jep dorëheqje a frikacak a edhe këtu po tutesh a. A po thua që partia e parë jeni ju sipas sondazheve tuaja. Nëse partia juaj është e para unë jap dorëheqje, nëse nuk jeni e para jepni ju dorëheqje?
Dardan Molliqaj: Hajde frikacak ti po dëshiron me luftuar korrupsionin a?, leni more këto mashtrime ordinere. Nuk është mirë me rrejt në publik që veç sa rrejti.