Gazeta Sinjali ka mësuar nga burime të sigurta brenda Prokurorisë Themelore të Prishtinës se Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është kanosur përmes emailit. Ndërsa, motivi i kanosjes dyshohet se lidhet me një pronë në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë.
Rasti i kanosjes është raportuar edhe në Policinë e Kosovës.
“Sot rreth orës 11:00 në stacionin policor Qendra është iniciuar një rast “Kanosje ndaj personit zyrtar”. Rasti ka ndodhur në rrugën “UÇK” në Prishtinë, në objektin e Komunës. Me rastin po merren njësitet kompetente”, thuhet në konfirmimin e policisë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar përmes telefonit edhe me asistentin e Ahmetit, Nezir Ismaili, por i njëjti ka thënë se nuk mund të flas asgjë lidhur me këtë rast.
“Nuk di asgjë, pytne policinë”, ka thënë Ismaili për Gazetën Sinjali.
Lidhur me kanosjen që i është bërë, Shpend Ahmeti nuk është prononcuar ende, ai ka qenë i paqasshëm gjatë ditës së hënë.
Pas pak në Gazetën Sinjali mund të lexoni detaje të tjera lidhur me këtë rast…/Gazeta Sinjali/