Kisha Ortodokse rumune deklaroi të mërkurën se një seri posterash që shfaqin mjekët dhe infermierët në linjën e parë të luftës kundër pandemisë së koronavirusit si shenjtorë, janë blasfemi dhe fyejnë ikonografinë e krishterë.
Bashkia e Bukureshtit reagoi menjëherë pas kësaj deklarate duke thënë se do të diskutojë me firmën e reklamave për heqjen e këtyre posterave, të cilët janë pjesë e një fushate europiane, ku pikturat e mjekëve dhe infermierëve kanë të ndërthurura me elementë nga arti fetar.
Posterat e krijuara nga ilustruesi rumun, Wanda Hutira, të cilët janë pjesë e fushatës “Faleminderit doktorë” nga agjencia e reklamave, McCann Worldgroup në përgjithësi janë pritur mirë nga publiku, por ka pasur dhe reagime të ndryshme në rrjetet sociale.
“Është një fushatë për të promovuar vizionin dystopian rreth situatës të krijuar nga pandemia”, tha zëdhënësi i Kishës, Vasile Banescu. Ai shtoi se posterat janë një deformim vizual i ikonografisë së krishtere.
“Jo vetëm që janë një akt blasfemie, por fyejnë gjithashtu dhe profesionin e nderuar, të cilët po ashtu si ne, nuk mendojnë se janë shenjtë dhe nuk kërkojnë të kthehen në një kult publik”, shtoi Banescu. /Gazeta Sinjali/