image "Kisha rast të rëndë në familje, 700 euro e kam pagu biletën", mërgimtari ankohet se kompania ajrore e mashtroi

Sinjalizime

“Kisha rast të rëndë në familje, 700 euro e kam pagu biletën”, mërgimtari ankohet se kompania ajrore e mashtroi

news image

Mërgimtarët përveç gjatë verës, Kosovës ia mësyjnë edhe dimrit, për t’i kaluar festat e fundvitit me familjet e tyre. Rruga drejt vendlindjes po del të jetë e mundimshme, si për ata që nisen me vetura, njëjtë edhe për ata që udhëtojnë me aeroplan. Shumë prej mërgimtarëve që kanë vendosur të vijnë në Kosovë me aeroplan po përballen me mashtrime. Kjo dyshohet se po ndodh nga kompania ajrore “PrishtinaJet”. Në adresë të Gazetës Sinjali shumë mërgimtarë kanë denoncuar raste të mashtrimit nga kjo kompani.

Kjo kompani po anulon biletat, pa i njoftuar fare udhëtarët. Kështu, mërgimtarët po mbesin pa bileta dhe para. Një rast të tillë i ka ndodhur edhe një bashkatdhetari nga Shtutgarti i Gjermanisë.

Në një prononcim për Sinjalin, kosovari nga Gjermania ka rrëfyer se si është endur nëpër aeroportin e Shtutgartit që tri ditë dhe nuk ka arritur të udhëtojë për Kosovë, edhe pse kishte paguar 700 euro biletë.

“Mi kanë humbur që 3 ditë duke i shtyrë oraret e fluturimeve dhe më pas më kanë shtyrë ditën dhe në fund nuk përgjigjen as për t’i kthyer paratë, as kurrgjë. Definitivisht nuk janë normal, si mund të ekzistojë një kompani e tillë. 700 euro e kam paguar biletën dhe qe rezultati”, tha ai për Sinjalin.

Sipas mërgimtarit, kjo kompani po i mashtron udhëtarët, duke ua ndërruar oraret e fluturimeve, me arsyetimin është shtyrë udhëtimi.

“Një biletë e kam paguar mirëpo kohët e fluturimeve i kanë ndryshuar në çdo moment, duke gënjyer se është shtyrë fluturimi”.

I mllefosur, ky mërgimtar shtoi se ardhjen në Kosovë e kishte shumë të rëndësishme, pasi ka pasur një rast të rëndë në familje.

“Unë kam humbur fluturimin më me vlerë, kam pas rast shumë të rëndë dhe më kanë maltretuar”, përfundoi ai.

Ky mërgimtar nuk është i vetmi që po ankohet për këtë kompani. Në redaksinë e Sinjalit është lajmëruar edhe një kosovar tjetër nga Zvicra, i cili thotë se është mashtruar nga kjo kompani, e cila ua ka marrë paratë dhe i ka lënë pa ardhur në Kosovë.

“Nga Baseli në Prishtinë kam pasur të udhëtoj. Na i kanë marrë pagesat dhe na fluturimi nuk është bërë. Që dy ditë po ndodh kështu. Kur kemi shkuar në aeroport, na thanë që nuk ekziston kjo kompani. Jemi në hall”, tha ky mërgimtar.

Për këtë kompani ka pasur ankesa edhe në grupe të ndryshme në Facebook.

Por siç duket “PrishtinaJet” po e vazhdon këtë “punë”, duke mos ua var veshin as thirrjeve e as mesazheve që i dërgojnë mërgimtarët, të cilët po thonë se po mashtrohen.

Edhe Gazeta Sinjali ka tentuar që të bie në kontakt me këtë kompani, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

/GazetaSinjali/