image Kirurgu në Florida jep shpjegim tronditës për heqjen e organit të gabuar të pacientit që çoi në vdekje

Botë

Kirurgu në Florida jep shpjegim tronditës për heqjen e organit të gabuar të pacientit që çoi në vdekje

news image

Një mjek në Florida është akuzuar se i ka hequr pacientit organin e gabuar, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa ka dhënë një shpjegim tronditës për mënyrën se si operacioni shkoi keq.

Dr. Thomas Shaknovsky tha se pacienti i tij 70-vjeçar, William Bryan, filloi të rrjedhë gjak nga një zonë e panjohur e trupit gjatë një splenektomie laparoskopike të planifikuar dhe se ai “nuk mund ta dallonte ndryshimin mes shpretkës dhe mëlçisë sepse isha shumë i tronditur”, sipas NBC News.

Kirurgu i përgjithshëm 44-vjeçar – ndaj të cilit muajin e kaluar u ngritën akuza penale për vdekjen — e bëri këtë pranim tronditës nën betim në nëntor, gjatë marrjes në pyetje nga avokatët e të vesë së Bryan-it, Beverly, raportoi media duke cituar transkriptin e dëshmisë. E veja ka ngritur padi për keqpërdorim mjekësor dhe vdekje nga neglizhenca, raporton nypost, transmeton Sinjali.

Mjeku tha se gjatë procedurës kishte komplikime që e bënë operacionin të vështirë dhe të rrezikshëm, përfshirë gjak në abdomen dhe zorrën e zmadhuar që po ia bllokonte identifikimin e burimit të gjakderdhjes. Në të njëjtën kohë, pjesëtarë të tjerë të ekipit kirurgjik po kryenin masazh kardiak për të rikthyer zemrën e pacientit, shpjegoi ai.

“Nuk mund t’ju shpjegoj se si është për një kirurg të humbasë një pacient në tavolinë dhe sa demoralizuese dhe shkatërruese është”, tha Shaknovsky.

“Dhe nuk mund ta dalloja ndryshimin sepse isha shumë i tronditur”, tha ai për heqjen e organit të gabuar.

Mjeku shtoi se ngjarja e ka lënë të shënuar emocionalisht. “Është një gjë shkatërruese, me të cilën do të më duhet të jetoj pjesën tjetër të jetës sime”, tha ai. “Dhe mendoj për të çdo ditë.”

“Ka qenë një ngjarje jashtëzakonisht e pafat, për të cilën ndjej keqardhje të thellë dhe jam i traumatizuar përgjithmonë”, tha Shaknovsky.

Beverly ka deklaruar në padinë e saj se ajo dhe bashkëshorti i saj nga Muscle Shoals, Alabama, ndodheshin në Florida kur Bryan u dërgua në Ascension Sacred Heart Emerald Coast Hospital pas dhimbjeve të stomakut. Aty, Shaknovsky dhe një mjek tjetër e bindën atë t’i nënshtrohej operacionit më 21 gusht për shkak të një anomalie në shpretkë.

Por Shaknovsky i hoqi mëlçinë në vend të shpretkës, gjë që shkaktoi “humbje të menjëhershme dhe katastrofike të gjakut që çoi në vdekje”, thuhet në padi.

Mjeku më pas e etiketoi organin si shpretkë dhe vetëm pas vdekjes së Bryan-it u zbulua se ishte mëlçia, thuhet në dokumentet gjyqësore.

Shaknovsky fillimisht u përpoq të mbulonte gabimin duke i thënë Beverly-t se shpretka ishte katër herë më e madhe se normalja dhe se kishte “migruar” në anën tjetër të trupit të Bryan-it, pretendon padia.

Shpretka peshon disa kilogramë më pak se mëlçia.

Muajin e kaluar, Shaknovsky — i cili ka humbur licencën mjekësore — u arrestua gjatë kohës që po punonte si shofer Lyft dhe u akuzua për vrasje nga pakujdesia e shkallës së dytë.

Autoritetet pretendojnë se mjeku ka bërë një sërë gabimesh fatale, përfshirë kalimin nga kirurgjia laparoskopike në atë të hapur, më të rrezikshme, për shkak të shikueshmërisë së dobët. Ai më pas ka prerë dhe kapur grupe enësh gjaku rreth mëlçisë, duke shkaktuar hemorragji dhe arrest kardiak te pacienti.

Pavarësisht emergjencës, ai nuk ka kërkuar ndihmë shtesë dhe më pas është përpjekur të fshehë gabimin duke e etiketuar gabimisht organin si shpretkë, pretendojnë autoritetet.

Ai përballet me deri në 15 vite burg nëse shpallet fajtor.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/