Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që të ruajnë vrullin e bisedimeve dhe dialogut, duke theksuar se “bisedimi është më i mirë se lufta dhe dialogu është më i mirë se konfrontimi”.
Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, gjatë një takimi në Pekin me homologun saudit.
Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, Wang Yi ka theksuar se armëpushimi aktual në rajon mbetet ende i brishtë, por çdo hap drejt dialogut ka rëndësi të madhe për stabilitetin rajonal.
“Armëpushimi aktual mbetet i brishtë, por bisedimi është më i mirë se lufta dhe dialogu është më i mirë se konfrontimi”, ka deklaruar Wang Yi.
Ministri kinez ka shtuar se Pekini është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me Arabinë Saudite për të lehtësuar tensionet në rajon dhe për të promovuar paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Deklarata vjen në një moment delikat për Lindjen e Mesme, ku tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatëve të tyre, kanë qenë të larta gjatë viteve të fundit.
Pas periudhave të ndryshme konfrontimesh, sanksionesh dhe përpjekjesh për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore (JCPOA), Kina po pozicionohet si një aktor ndërmjetësues që mbështet zgjidhjet diplomatike.
Kina ka marrëdhënie të ngushta ekonomike me Iranin, si një importuese e madhe e naftës iraniane, ndërsa njëkohësisht zhvillon partneritet strategjik me Arabinë Saudite.
Pekini shpesh thekson parimin e “mosndërhyrjes” dhe zgjidhjeve paqësore, duke u pozicionuar si alternativë ndaj qasjes më të ashpër të Perëndimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!