image Kiçmari: Vendimi i Kuvendit është i kundërligjshëm, do ta dërgoj në Kushtetuese

Kosovë

Kiçmari: Vendimi i Kuvendit është i kundërligjshëm, do ta dërgoj në Kushtetuese

news image

Me 68 vota për dhe dhjetë abstenime, Kuvendi i Kosovës e shkarkoi sot Xhyldane Kiçmarin nga pozita e anëtares së Bordit të Ndërmarrjes Publike “KOSTT”, shkruan Gazeta Sinjali.

Mirëpo, këtë vendim të Kuvendit, në një prononcim për Gazetën Sinjali, Kiçmari po e quan të padrejtë, tendencioz dhe të kundërligjshëm.

Kuvendin sot e mori një vendim të padrejtë, tendencioz dhe të kundërligjshëm. Së pari është e çuditshme se si deputetë e nxjerrin ligjin për të rregulluar çështje të caktuara, pastaj, vetë deputetët e shkelin ligjin. Misioni im për angazhim në KOSTT është rezultat i kualifikimit, auditore e certifikuar, përvojës personale dhe dëshirës për të kontribuuar në të mirë të pasurive shoqërore, siç është kompania KOSTT. Mirëpo, ja që nuk po të lënë hapësirë.”

“Emërimi im ka shkruar në mënyrë të rregullt, jam intervistuar nga Komisioni i Kuvendit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri dhe Investime Strategjike dhe kam qenë kam qenë kandidatja me numrin maksimal të pikëve. Emrat janë dërguar për votim në Kuvendin e Kosovës, në seancën e datës 29 tetor 2020, ku jam votuar. Po i njëjti komision parlamentar, bazuar në të drejtën ligjore të tij dhe kualifikimet e mia, më ka propozuar për kryesuese të Komitetit të Auditimit në Bordin e KOSTT. Mirëpo, kjo nuk është votuar në dy seanca radhazi, për shkak të mungesës së kuorumit.”

Kiçmari e mohoi se emërimi i saj në bordin e KOSTT-it përbën konflikt interesi.

“Unë nuk kam konflikt interesi sa i përket pozitës në Bordin e KOSTT, ashtu siç u komentua sot në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo për Sinjalin.

Se emërimi i saj në Bordin e KOSTT-it nuk përbën konflikt interesi e kishte vlerësuar edhe Agjencia Kundër Korrupsion, në një opinion dërguar Komisionit për Punë, Buxhet dhe Financa.

“Pra, me rastin e emërimit të znj.Kiçmari në pozitën e anëtares së Bordit të Drejtorëve në KOSTT, vlejnë kufizimet e dispozitës së sipërcituar, konkretisht pjesa e dytë e paragrafit në fjalë, përcakton se ‘Zyrtari i lartë (…) nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të. Prandaj, Agjencia Kundër Korrupsion ka konstatuar se, në rastin konkret, mbajtja e pozitës së Drejtores së ASHNA-s, krahas ushtrimit të funksionit publik si anëtare e Bordit të Drejtorëve të KOSTT, nuk është në kundërshtim me dispozitën e sipërcituar, por kufizimi (ndalesa) ekziston për sa i përket shpërblimit me pagesë”, thuhet në opinionin që AKK ia kishte dërguar kryetarit të Komisionit për Punë, Buxhet dhe Financa, Armend Mujës, lidhur me rastin e Kiçmarit.

Sipas Kiçmarit, shkarkimi i saj ka qenë i kurdisur nga persona brenda dhe jashtë ndërmarrjes.

Prandaj, ajo paralajmëroi se vendimin për shkarkimin e saj do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë të drejtën e kompensimit, sipas kërkesës së AKK-së, e kamë kërkuar nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, i cili pastaj e ka përcjell kërkesën time te Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe i cili akoma nuk më ka kthyer përgjigje.”

“Duket qartë që procesi për shkarkimin tim ka qenë i kurdisur nga brenda dhe jashtë KOSTT dhe është mbështetur nga deputetët. Gjatë kohës sa isha në bord, kam vërejtur se një numër i individëve të cilët kanë uzurpuar pozita të larta, pa meritë dhe pa profesionalizëm, janë të gatshëm të bëjnë çdogjë që t’i mbajnë pozicionet e veta, për të mos ju dhënë hapësirë profesionistëve të rind dhe për të mos na lënë neve si bord t’i çojmë proceset përpara. Prandaj, unë do t’i ushtroj të drejtat e mia ligjore në Gjykatën Kushtetuese”, përfundoi ajo./Gazeta Sinjali/