image Kiçmari: Qeveria do argumentojë para shteteve mike rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Politikë

Kiçmari: Qeveria do argumentojë para shteteve mike rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare

news image

Kryetari i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Sabri Kiçmari, ka deklaruar se Kosova është e lirë të procedojë me kërkesat për pranim në organizatat ndërkombëtare aty ku vlerëson se është në interes për shtetin, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas tij Kosova mund të aplikojë për pranim në organizatat ndërkombëtare qysh në muajin shtator, por për veprime të tilla paraprakisht duhet një koordinim edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera mike të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Kiçmari thotë se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të argumentojë para shteteve mike për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Qëndrimet tona në lidhje me këtë çështje duhet të akordohen plotësisht me miqtë tanë. Jam i sigurtë që ministrja dhe kryeministri në komunikimet e tyre zyrtare që kanë me përfaqësuesit e ShBA-së dhe vendeve mike të Bashkimit Evropian, do të numërojnë argumentet e mjaftueshme për rëndësinë që ka pranimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Kiçmari për KP.

Diplomati Kiçmari thotë se përpjekjet e Serbisë për të penguar ecjen përpara të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të vazhdojnë, por sipas tij Kosova e ka të sigurt vendin në grupin e shteteve demokratike dhe duhet të sillet si shtet i përgjegjshëm.

“Pritjet e mija janë që kjo betejë diplomatike do të vazhdojë, jemi të destinuar si shtet të vazhdojmë këtë betejë në të cilën ne jemi në anën e së drejtës, një popull që ka vendosur në vitin 2008 përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur të shpallë Pavarësinë dhe ka mbështetjen mbi 95 përqind të popullit e ka mbështetjen e plotë për të qenë shtet i pavarur dhe sovran, nuk mund ta pengojë njeri, andaj as Serbia nuk mund ta pengojë këtë gjë”, thotë ai.

Me të marrë detyrën në krye të Ministrisë së Jashtme, Donika Gërvalla kishte shkarkuar 12 ambasadorë, të emëruar politik, kthimi i të cilëve ka thënë se do të bëhet deri më 30 gusht të këtij viti. Kiçmari thotë që ambasadorët e rinj duhet të emërohen sipas ligjit, i cili para sheh 50 përqind e tyre të jenë të karrierës ndërsa 50 përqind të tjerë të emëruar politik. /Gazeta Sinjali/