Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim të kufizohen përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku.
Këtë vendim KGJK-ja e ka marrë në takimin e jashtëzakonshëm të mbajtur sot, ku është diskutuar për masat e gjyqësorit lidhur me situatën aktuale, pandeminë globale koronavirus (COVID-19).
Në komunikatën e KGJK-së, thuhet se kufizohen përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku, në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës, sipas vlerësimit të kryetarit të gjykatës dhe gjyqtarit të çështjes.
KGJK ka vendosur që në objektet e gjykatave të shmanget prania e publikut. Po ashtu, njëri prind që duhet të kujdeset për fëmijën e vet, mund të lirohet nga puna, sipas kërkesës së parashtruar tek mbikëqyrësi.
“Ky kufizim do të zgjasë deri më datë 27 mars 2020, përveç nëse vendoset ndryshe.”, thuhet në komunikatën e tyre.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur dje, ka marrë vendim që të gjitha aktivitetet publike dhe jopublike të zhvillohen të mbyllura, pa praninë e publikut si: ngjarje sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër. /Gazeta Sinjali/