Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë (KFOR) ka përfunduar zhvendosjen e 67 kontejnerëve nga kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në terrenet e futbollit në zonën e Bërnicës/Brnjicës, me qëllim përmirësimin e kushteve për sportistët e rinj.
Operacioni u realizua nga Ekipi i Ndërlidhjes dhe Monitorimit të KFOR-it (LMT K8), me mbështetjen e kapaciteteve inxhinierike të Grupit të Përbashkët të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it (JLSG), në koordinim me Policinë Ushtarake të KFOR-it dhe FSK-në.
Sipas KFOR-it, zhvendosja nisi më 17 qershor, pas një kërkese nga Federata e Futbollit e Kosovës, ndërsa u përmbyll gjatë ditëve të fundit. Kontejnerët do të shërbejnë për krijimin e hapësirave më të përshtatshme për futbollistët e rinj, duke ofruar ambiente për stërvitje, ndërrim dhe përgatitje para ndeshjeve.
KFOR ka theksuar se kjo nismë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm me institucionet lokale dhe partnerët në Kosovë për të mbështetur mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve.
“Ky aktivitet pasqyron përkushtimin e KFOR-it në promovimin e shëndetit dhe mirëqenies, me fokus të veçantë te zhvillimi i të rinjve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!