Misioni i KFOR-it ka sqaruar raportimet e qytetarëve nga Ferizaj lidhur me shpërthimet e dëgjuara në orët e hershme mes të mërkurës dhe të enjtes pranë zonës së kampit Bondsteel.
Sipas KFOR-it, shpërthimet kanë qenë pjesë e aktiviteteve operative rutinë të ekipeve të Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD), të cilat kryhen rregullisht si pjesë e detyrave të misionit.
Në përgjigjen zyrtare, KFOR theksoi se këto aktivitete përfshijnë ushtrime dhe trajnime të domosdoshme për ruajtjen e gatishmërisë dhe sigurisë së forcave të tyre, në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Misioni gjithashtu ritheksoi përkushtimin për transparencë dhe njoftim të publikut lidhur me aktivitetet e tij, me qëllim informimin e saktë të qytetarëve dhe shmangien e keqkuptimeve.
Disa banorë të Ferizajt kishin raportuar më herët shpërthime të pazakonta, të cilat kanë ngjallur shqetësim në orët e natës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!