Ushtarë nga Ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), të angazhuar në Komandën Rajonale-Perëndim të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë dhuruar pajisje për zjarrfikje dhe shpëtim për Shërbimin e Zjarrfikësve të Komunës së Klinës.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ky donacion synon të rrisë aftësitë operacionale të njësisë dhe të përmirësojë reagimin e saj në situata emergjente, përfshirë zjarret dhe aksionet e shpëtimit.
“Këto iniciativa pasqyrojnë përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për bashkëpunim me institucionet dhe partnerët lokalë, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë të paanshme dhe transparente”, thuhet në komunikatën e misionit.
Ky donacion vlerësohet si mbështetje konkrete për rritjen e gatishmërisë së zjarrfikësve në terren dhe forcimin e reagimit ndaj emergjencave në nivel lokal.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!