image Këto janë pikat që do të diskutohen në seancën e kuvendit të hënën

Politikë

Këto janë pikat që do të diskutohen në seancën e kuvendit të hënën

news image

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare dhe të drejtuar nga kryekuvendari, Glauk Konjufca, vendosi që seanca plenare e radhës e Kuvendit të mbahet të hënën, më 26 prill 2021, në orën 10:00, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Drejtoria e Kuvendit për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, ka bërë të ditur pikat e rendit të ditës që do të diskutohen në këtë seancë.

Pika e parë e rendit të ditës do të jenë diskutimet jashtë këtij rendi dhe pyetjet parlamentare.

Pika e dytë do të jetë ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare.

Seanca më pas do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 06/L -091, për t’u përmbyllur me debatin parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së shtatë deputetëve.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë u shqyrtuan edhe çështja të tjera që lidhen me aspekte të ndryshme të punës së Kkuvendit.

“Kështu, u diskutua lidhur me formimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, si dhe formimin e delegacioneve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në organizata ndërkombëtare për Legjislaturën VIII”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, bëhet e ditur se kryesia ngarkoi Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë që ta shqyrtojë dhe të dalë me një rekomandim për kryesinë lidhur me formimin e grupeve të miqësisë ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe parlamenteve të shteteve të tjera.​/Gazeta Sinjali/