Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një aksion policor kundër qendrave të thirrjeve të njohura si ‘Call Center’ në Prishtinë, ku tashmë është arrestuar një shtetas izraelit si i dyshuar kryesor, teksa priten edhe arrestime tjera.
Sinjali mëson se Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës janë duke kryer bastisje në disa lagje të kryeqytetit ku pritet sekuestrimi i kompjuterëve, mjeteve monetare dhe provave të shumta që do të përdoren në procedurën e mëtutjeshme.
Sipas burimeve, bastisje po kryhen në lagjen ‘Marigona’, te 4 Llullat dhe në disa lagje të tjera.
Aksioni ka për qëllim identifikimin e pronarëve faktikë dhe juridikë të qendrave të thirrjeve të njohura si Call Center e të cilat janë shndërruar në një mekanizëm të sofistikuar të mashtrimit të qytetarëve dhe zbrazjes së llogarive të tyre në emër të investimeve në platforma fantome.
Në pranga ta Policisë pritet të bien edhe punëtorë të cilët me vetëdije janë pjesë e skemave të mashtrimit.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja.