Përfundimi i numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë në pah edhe mbështetjen që kandidatët gra kanë marrë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kandidatja më e votuar është Albulena Haxhiu me 113 mijë e 998 vota, e pasuar nga Donika Gërvalla-Schwarz me 92 mijë e 690 vota. Në mesin e pesë grave më të votuara renditen edhe Mimoza Kusari-Lila, Shqipe Mehmeti Selimi dhe Saranda Bogujevci.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, listën e grave më të votuara e kryeson Vlora Çitaku me 40 mijë e 78 vota, ndërsa pas saj renditet Sala Jashari me 37 mijë e 798 vota. Ganimete Musliu, Besa Kabashi Ramaj dhe Blerta Deliu-Kodra plotësojnë pesëshen e parë.
Ndërkaq, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka siguruar mbështetjen më të madhe mes grave, me 83 mijë e 14 vota. Pas saj vijnë Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Jehona Lushaku Sadriu dhe Albena Reshitaj.
Te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj është gruaja më e votuar me 16 mijë e 785 vota. Në listën e pesë më të votuarave pasojnë Albana Bytyqi, Teuta Haxhiu, Diellza Kukaj dhe Fitore Hulaj.
Rezultatet e publikuara nga KQZ-ja tregojnë se gratë vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm në skenën politike të vendit, me disa prej tyre që kanë siguruar dhjetëra mijëra vota dhe pritet të jenë ndër figurat kyçe të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!