Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, konfirmon se laboratori në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, i licensuar nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e testimeve për virusin SARS-CoV-2, ka kryer katër teste RT-PCR me çmim prej 200 eurosh.
Sipas AKK-së, laboratori në fjalë kryen testimin rapid molekular Assay Method.
“Kjo është formë e avancuar e testimit molekular RT-PCR, i cili jep rezultatin e njëjtë, vlerësimin e njëjtë dhe karakteristikat e njëjta me testimin molekular RT-PCR, por që e veçanta e këtij testimi është dhënia e rezultatit në afat më të shkurtër, për më pak se 2 orë”, thekson AKK, transmeton Gazeta Sinjali.
“Gjithsesi, duhet thënë se në të njëjtin laborator, qytetarët kanë mundur të zgjedhin testin RT-PCR, i cili detekton virusin brenda një kohë më të gjatë, por që kushton 65 Euro. Në fakt, nga analizimi i të dhënave, konstatojmë se në laboratorin në fjalë 99.7 për qind e testimeve PCR janë kryer me metodën RT-PCR (që kushton 65 euro) kurse pjesa tjetër me metodën e testimit rapid molekular – Assay Method, pra vetëm 4 teste në shumë prej 200 euro apo (0.3%)”, vijon AKK.
Aktualisht në vend janë gjithsej 119 laboratorë të licensuar për ofrimin e testimeve serologjike si dhe tre laboratorë të licensuar për ofrimin e testeve molekulare PCR.
AKK konstaton se çmimet e këtyre shërbimeve janë transparente dhe variojnë për testet serologjike nga 15 deri në 40 Euro, kurse për molekulare nga 65 Euro.
AKK thekson se do të vazhdojë monitorimin e këtij tregu dhe më pas gjetjet do të publikohen në media. /Gazeta Sinjali/