Gjykata e Posaçme ka caktuar masë sigurie “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit” për ish-kryeministrin Sali Berisha, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Paraprakisht raportohet se për Berishën nuk është dhënë një tjetër masë më e fortë se kjo për shkak të moshës.
Po ashtu, me kërkesë të SPAK për të njëjtën çështje, është arrestuar mbrëmjen e të shtunës edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Gjithashtu u ndalua edhe biznesmeni Fatmir Bekteshi.
Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur për veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë nga Prokuroria e Posaçme, një akuzë që mbart dënim nga 4 deri në 12 vjet burg.
Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së ish-kryeministrit është akuzuar për veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, një vepër penale që parashikon dënime nga 5 deri në 15 vjet.