Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka renditur 11 arsye sipas të cilave ai mendon se ka dështuar qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti.
Mos miratimi i ligjit të pagave, dështimi në fushën e energjisë, kapja e bordeve dhe institucioneve të pavarura janë tri pikat e para që ka renditur Haradinaj si arsye për dështimet e qeverisë Kurti.
Ndërsa dështimet tjera sipas Haradinajt janë: “Menaxhimi i keq i pandemisë, vazhdimi i dialogut pa koncept me Serbinë, dialog i nivelit teknik nga i cili Kosova nuk përfiton asgjë, menaxhimi jo profesional i situatave të sigurisë të krijuara në veri, dhënia e dhjetëra tenderëve njëburimor, që është shndërruar në model të korrupsionit, dështimet në politikën e jashtme, qëndrimi i tij për luftën për liri dhe njëjtësimi i arkivave të Serbisë që kanë mijëra dosje të krimeve monstruoze kundër shqiptarëve me arkivat që nuk egzistojnë të UÇK-së, fushata sistematike institucionale kundër fjalës së lirë, dështimet në garantimin e pavarësisë së gjyqësorit“.
Sipas tij ka edhe shumë dështime të tjera, kategori në vete, që janë edhe më shumë se dështime, por gabime ordinere.