Në Zveçan janë ndezur qirinj për tre terroristët e vrarë në operacionin e Policisë së Kosovës në veri, pasi ky grup terroristësh sulmoi policinë, duke e vrarë kështu rreshterin Afrim Bunjakun. Sulmi është dënuar nga institucionet e Kosovës, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare duke u quajtur si terrorist.
Përkundër kësaj, tre terroristët po përkujtohen me nderime edhe nga serbë e Kosovës, me ç’rast janë nxjerrur fotografitë e tyre.
Zyrtarisht nuk dihet identiteti i tyre, por sipas mediumit lokal Kossev bëhet fjalë për N.S. nga Zveqani dhe B.M e I.M. Nga Leposaviqi. Mediumi ka shkruar për situatën atje.
Për këta persona ka folur të dielën edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili i ka quajtur “të revoltuar”, siç ka propaganduar ai “kundër persekutimit të Albin Kurtit”.
Edhe pse Vuçiq deklaroi se “Beogradi nuk qëndron mbrapa tyre”, megjithatë ky shtet do të mbajë ditë zie për terroristët, njëjtë do të veprojë edhe Lista Serbe, pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Madje, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla ka publikuar fotografi që tregojnë se pjesë e këtij aksioni ka qenë hiç më pak se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, i kërkuar nga Policia e Kosovës për shkak të veprimeve kriminale, si dhe gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.