Gjykata Speciale me seli në Hagë ka intensifikuar angazhimin në kuadër të misionit të saj për ndriçimin e krimeve të supozuara që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Dhomat e Specializuara, sidomos gjatë ditëve të fundit, kanë shpeshtuar ftesat për intervistim ndaj ish pjesëtareve të UÇK-së dhe civilëve që mund të kenë pasur përgjegjësi në cilësinë e të dyshuarve ose dëshmitarëve gjatë periudhës së luftës, shkruan Gazeta Sinjali.
Vetëm sot 6 persona kanë bërë të ditur se kanë marr ftesa nga Prokurori i Specializuar i Gjykatës Speciale.
Duket se kjo është faza e fundit para ngritjes së aktakuzave të para ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së të dyshuar për krime të luftës.
I pari, gjatë ditës së sotme, njoftoi për ftesën, ish rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i cili pritet të intervistohet këtë fundjavë në Hagë.
Pas tij u bë e ditur se Specialja ka ftuar edhe Shaban Sylën i cili është i dënuar në rastin e njohur si “Bllaca 2” për tentim vrasjen ndaj Adem Salihajt.
Ish-luftëtari i UÇK-së, Jetullah Krasniqi, është i ftuari i tretë emri i të cilit u bë i ditur sot ashtu sikurse edhe i ish-luftëtarit tjetër të UÇK-së nga fshati Abri e Ulët komuna e Skenderajt, Fazli Behrami i cili kishte shërbyer në brigadën 113 “Mujë Krasniqi.
Nuk vonoi shumë, pasdite edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi njoftoi se ka marr ftesë nga Gjykata Speciale. Ai gjatë luftës ishte komandant i Batalionit të lll-të të Brigadës 124 ” Gani Paçarizi”.
Pas Smajl Latifit, Organizata e Veteranëve të Luftes së UÇK-së në komunën e Rahovecit njoftoi se për intervistim është ftuar edhe Milaim Latifi që ishte pjesë e UÇK-së dhe epror i TMK-së.
Ndërkohë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se vetëm në 10 ditët e fundit, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim mbi 50 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas OVL-UÇK-së, numri i përgjithshëm i të ftuarve ka arritur 110, pa llogaritur ata që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, apo që nuk kanë dashur të publikojnë ftesën e tyre me qëllim të ruajtjes së privatësisë.
OVL-të UÇK-së paralajmëron se rreth katër persona pritet të arrestohen deri në muajin nëntor ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në rrugë me protesta, për të kundërshtuar këto veprime./Gazeta Sinjali/