Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka marrë sot një vendim, në të cilin ka shpallur “persona non grata” dy rusë.
Sinjali ka mësuar se dy personat që u shpallën “persona non grata” nga institucionet e Kosovës janë Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev.
Alexey Kryvosheev, i cili është edhe diplomat rus, nuk e ka për herë të parë që është shpallur “person non grata”.
Ai edhe nga autoritetet shqiptare është shpallur i papranueshëm, pasi që në janar të këtij viti, sipas qeverisë shqiptare, vazhdimisht ka thyer masat anti-COVID në Shqipëri.
Për këtë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, me ç’rast ka thënë se “Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë, për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, ka thënë Osmani.