image Këta janë dy vëllezërit që dyshohet se e rrahën brutalisht 64-vjeçarin në Podujevë

Siguri

Këta janë dy vëllezërit që dyshohet se e rrahën brutalisht 64-vjeçarin në Podujevë

news image

Gazeta Sinjali raportoi mbrëmë për një rrahje brutale që ndodhi në  fshatin Llapashticë e Epërme e komunës së Podujevës, ku një 64-vjeçar përfundoi në spital, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore që mori nga dy vëllezër. Të dyshuarit janë arrestuar tashmë nga Policia dhe janë dërguar në ndalim policor.

Por kush janë vëllezërit nga familja Muçiqi që e bënë llom viktimën me mjete të forta?  

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se dy vëllezërit e dyshuar në lidhje me këtë rast janë Halit dhe Shemsi Muçiqi.

Ata po dyshohen se për motive ende të panjohura kanë sulmuar me shkop bejsbolli viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Sipas informatave të para, gjatë përleshjes njëri prej të dyshuarve kishte ekspozuar edhe një armë zjarri, por të cilin nuk e kishte përdorur.

Posa Policia ka marrë informacionin ka arrestuar fillimisht njërin nga të dyshuarit, të cilit me rastin e kontrollit policor i është gjetur dhe konfiskuar arma e zjarrit, teksa më pas është kapur edhe i dyshuari tjetër, vëllai i tij.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës’.

Ndërkohë, burimet brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë të ditur se viktima ishte dërguar në këtë qendër në gjendje të rëndë, pasi kishte marrë fillimisht ndihmën e parë në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/