Policia e Kosovës mbrëmë ka njoftuar për arrestimin e dy personave në komunën e Suharekës, pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të shesin hiç më pak se 10 hektarë tokë në vlerë prej një milion euro me dokumente false, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se dy personat që u dërguan në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikim dokumentesh’ janë Haljim Isufi 43-vjeçar dhe Snezana Milisavljeviç 51-vjeçare.
“Veprimet inkriminuese të të dyshuarve konsistojnë ashtu që, i dyshuari në fjalë pasi ka falsifikuar letërnjoftimin e pronarit legjitim të pronave në këtë zonë, më pas ka autorizuar të dyshuarën me iniciale (S.M), që e njëjta të vazhdoj me shitjen e pronave së bashku me personin (H.I.) i cili ka shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, ku sipërfaqja e pronave që kanë pretenduar t’i shesin arrin afërsisht dhjetë (10) hektar, në vlerën aktuale përafërsisht rreth një milion Euro, por kjo është ndaluar duke i arrestuar të dyshuarit e lartcekur në flagrancë, falë angazhimeve dhe punës se përbashkët të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, me Institucionet e lartcekura”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka nxjerrë aktvendim që Isufit dhe Milisavljeviç t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.