Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë dy të dyshuarit kryesor për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi. Kështu tha sot prokurori i rastit në Prokurorinë Themelore, Armend Hamiti. Prokurori ka njoftuar se tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut.
Hamiti konfirmoi se motivi i vrasjes ishin 30 mijë euro për të cilat të dyshuarit besonin se i tanimë i ndjeri i kishte me vete.
“Vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material gjegjësisht shuma 30 mijë euro, të cilët të akuzuarit kanë besu se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedonte, për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutu”, ka thënë Hamiti.
Prokuroria i rastit, gjatë konferencës për mede ka zbuluar se është vërtetuar dyshimi se viktima është vrarë në bashkëkryerje nga dy persona për motive të ulëta.
Ai ka konfirmuar se mbetjet mortore që janë gjetur në Novobërdë janë të Bedri Rexhepit, biznesmenit që është raportuar si i zhdukur qe 1 vit e gjysmë.
“Dje kam informuar familjarët e viktimës se është vërtetur identiteti i i viktimës. Pas hetimit sigurimit të të gjitha provave, kam arritur të vërtetoj dyshimin e bazuar. Është ngritur aktakuzë ndaj Jeton Vllasaliu për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i kufomave siç parashihet me Kodin Penal. Motivi për fat të keq është i ulët. Sipas hetimit që ka zgjatur rreth 18 muaj vrasja ka ndodhur për shkak të përftimit material, shuma 30 mijë euro të cilët të akuzuarit kanë dyshuar se Bedri Rexhepi i posedon.”, tha Hamiti, raporton Sinjali.
Lidhur me zhdukjen e Bedriut, Policia ka arrestuar Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij. Më vonë janë arrestuar edhe vëllai dhe kunata e Vllasaliut.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.