Policia e Kosovës pas aksionit kundër kontrabandës në katër rajonet e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri, si dhe arrestimit të tetë personave, ka shpallur në kërkim edhe pesë të tjerë si të dyshuar për kontrabandim me mallra, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia ka njoftuar se personat e shpallur në kërkim janë Besim Zeqiri, Halil Sylejmani, Festim Sylejmani, Fitim Latifi dhe Milan Radisavljevic.
Tutje policia ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e asnjë provokimi të mundshëm.
“Policia e Kosovës, fton të gjithë qytetarët që të mos bien pre e asnjë provokimi të mundshëm dhe njëkohësisht kërkon bashkëpunim në ofrimin e informacioneve me qëllim arrestimin e personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre pranë organeve të drejtësisë.”
“Numrat kontaktues: 192, 038 550 999 ose pa pagesë në 0800 19999, të gjitha informacionet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, shkruhet në njoftimin e policisë.
Krejt në fund policia ka njoftuar se janë duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra.
“Njëkohësisht Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, përfundon njoftimi.