image Këshilltarja lokale e BE-së: Serbia po favorizohet në dialog, Asociacioni do të krijonte më shumë ndasi

Politikë

Këshilltarja lokale e BE-së: Serbia po favorizohet në dialog, Asociacioni do të krijonte më shumë ndasi

news image

Takimi i fundit i nivelit të lartë në Bruksel në mes të delegacionit kosovar dhe atij serb rezultoi i pasuksesshëm.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, për dështimin e takimit e mbajti përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Sipas kryediplomatit evropian, kryeministri kosovar nuk po pranon të fillojë me procesin e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por me ndryshe po e sheh këtë situatë po vlerëson Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger.

Kjo e fundit thotë se blloku evropian është duke mbajtur anën e Serbisë në dialog me Kosovën.

“Është shumë e qartë se ndërmjetësimi i përfaqësuesve të BE-së nuk është i pavarur, por mbështet qëndrimin serb. Ekziston një insistim që së pari duhet të kënaqen interesat serbe. Megjithatë, nuk ka besim se Vuçiq do t’i përmbush detyrimet e tij më pas dhe ky është një rrezik që Kosova nuk dëshiron dhe nuk mund ta marrë. Gjithashtu nga këndvështrimi i BE-së, do të ishte fatkeqësi nëse marrëveshja do të përmbushej vetëm në mënyrë të njëanshme nga Kosova. Duke parë sondazhet dhe veprimet konkrete të politikanëve, është e qartë se vetëm një vend është seriozisht i interesuar për t’u anëtarësuar në BE. Serbia, nga ana tjetër, gëzon pozicionin e saj ku përfiton nga paratë e BE-së, dhe nuk përmbushë asnjë detyrim. Serbia nuk është e interesuar për zgjidhjen e konfliktit. Sa më gjatë ta zgjasë konfliktin, aq më gjatë mund të vonojë anëtarësimin e Kosovës në BE”, është shprehur ajo Tëvë1.

Tutje, Schneeberger, ka folur edhe për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas saj ka mënyra të tjera për të siguruar interesat e serbëve të Kosovës, e jo të insistohet vetëm në formimin e asociacionit.

“Ka mënyra të tjera për të siguruar interesat e serbëve të Kosovës dhe atyre të pakicave të tjera përveç Asociacionit të Komunave Serbe. Në vend që të insistohet në dëshirat e një fqinji, duhet të respektohet sovraniteti i Kosovës dhe të pyetet popullata vendase për shqetësimet dhe dëshirat e tyre reale. Janë njerëzit e nacionaliteteve të ndryshme që jetojnë derë më derë në veri të Kosovës. Vetëm ata duhet të vendosin se çfarë u nevojitet në mënyrë që të jetojnë së bashku në paqe. Ndarjet e mëtejshme në bazë të kombësisë nuk janë pjesë e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Ato do të prishnin kohezionin brenda Kosovës. Por ky është pikërisht qëllimi i Vuçiqit, i cili dëshiron ta shoh një Kosovë të dobët dhe jofunksionale”, ka thënë Schneeberger

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për dy vite janë takuar tetë herë, por pa nënshkruar asnjë marrëveshje.

/GazetaSinjali/