Shenaj Shala, u emërua sot nga kryeministri Kurti si Këshilltare e Jashtme Politike, si dhe përgjegjëse e proktokollit në Kabinetin e tij, por Shala para 5 vitesh i kishte shkruar një letër publike Kurtit ku i thoshte se ideja e bashkimit kombëtar me Shqipërinë do të thoshte që Kosova të mos kishte hartë fare, sipas saj Kosova do të falej.
“I rendite të këqijat e ‘Bashkësisë’, duke treguar se çka do të mbetet nga Kosova përmes asaj harte të tmerrshme. Por, çka do të mbetet nga Kosova, Albin, pas bashkimit kombëtar – siç ti e ofron? U mundova me e parafytyrua hartën e Kosovës atëherë – por, nuk shihja asgjë! Ti flisje për ‘faljen’ e pjesëve të Kosovës nga ata në pushtet, por po ashtu (po i bie që) nëse ti vjen në pushtet do ta falësh tërë Kosovën”, kishte shkruar Shala në letrën e saj.
Gjithashtu Shala si paratitull kishte paralajmëruar që kjo letër do të mund të keqkuptohej nga shumë njerëz duke menduar se ajo nuk ishte për bashkim kombëtar me Shqipërinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Letra e plotë:
Me shpresë që ky shkrim nuk do të keqkuptohet, nuk do të lexohet me asnjë paragjykim dhe asnjë prapavijë! Është thjesht që t’ju jap të gjithëve një këndvështrim tjetër për tërë atë se çka po ndodh këto dit… këndvështrimin tim…
Votën që ta dhashë ishte falë aderimeve të reja në lëvizjen tënde, dhe për shkak të disa njerëzve, vizioneve të të cilëve u besoja shumë.
E ndjeja që këta do t’i jepnin një frymë të re lëvizjes sate dhe do të na kthehet shpresa edhe neve përmes juve.
Kur bëre thirrje për manifestimin në mbrojtje të Republikës, kundër Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionit, mendova qe Republikën për të cilën flisje ishte ajo e Kosovës.
Dhe, si secili qytetar qe ia do të mirën këtij vendi, e asnjëherë ndarjen, vendosa të dal në përkrahje të saj.
Si gjysmë shqiptare që jam (siç e tregon mbiemri) dhe gjysme turke (siç e tregon emri), jam rritur duke m’u imponuar gjithnjë nga shoqëria që të zgjedh njërën anë dhe të deklaroj se çka jam.
Sa më kënaqësi dëgjoja ish-kolegët e UNMIK-ut kur thoshin: “Jam gjysmë italian, gjysmë francez”, “jam gjysmë spanjolle, çerek portugeze (se gjyshja ka qenë angleze nga ana e babit) e çerek angleze”. Sa u merrja lakmi që aq lehtë shprehnin atë se çka janë, pa pasë nevojë me e zgjedh njërën apo tjetrën anë. Dhe, çka është më e rëndësishmja, sa lehtë i shihnim si një tërësi/person/karakter pa marr parasysh se cilit nacionaliteti u përkisnin prindërit apo gjyshërit e tyre.
Arsyeja pse po të tregoj për këtë është se më në fund jam në gjendje që t’ju ‘ik’ të gjitha pyetjeve provokative që insistojnë që unë të zgjedh njërën apo tjetrën anë (për ata që nuk pranojnë që përgjigja të jetë gjysmë-gjysmë) duke iu dhënë përfundimisht përgjigjen “jam kosovare – ashtu më thotë në pasaporta, ashtu me njeh shteti im!”.
Nuk pres që ju të kuptoni sikletin tim që e kam mbajt me vete sa herë që më është bërë kjo pyetje në fëmijëri, por e di qe vajza juaj shumë mirë do të më kuptojë një ditë.
Babi im i ndjerë ka qenë një ndër ballistët më të ‘flaktë’ që kam njohur ndonjëherë. Nuk e di se çka është me këta burra shqiptarë që martohen me gra të ‘huaja’, por të gjithë ata që i njoh po qëllojnë të jenë shumë më nacionalistë se tjerët!?
Kur në videon promovuese që kishit përgatitur për manifestimin, treguat hartën e Kosovës të copëtuar dhe se si do të dukej pas ‘Bashkësisë’ e Demarkacionit, m’u cop[tua zemra! Kjo nuk është ajo që e dëshiron asnjë kosovar që ka lindur në Kosovë dhe ka dashuri të sinqertë për të (pa marr parasysh nacionalitetin). Mbylla sytë që ta zhduk atë hartë të çrregullt nga mendja – vet pamja e së cilës më bëri të rrëqethem.
Në atë moment ti flisje… flisje kundër ‘Bashkësisë’ serbe; kundër një bashkimi të komunave serbe. Mirëpo, flisje edhe për një bashkim tjetër…
I rendite të këqijat e ‘Bashkësisë’, duke treguar se çka do të mbetet nga Kosova përmes asaj harte të tmerrshme. Por, çka do të mbetet nga Kosova, Albin, pas bashkimit kombëtar – siç ti e ofron?
U mundova me e parafytyrua hartën e Kosovës atëherë – por, nuk shihja asgjë!
Ti flisje për ‘faljen’ e pjesëve të Kosovës nga ata në pushtet, por po ashtu (po i bie që) nëse ti vjen në pushtet do ta falësh tërë Kosovën.
E di që kjo letër do të keqkuptohet nga shumë njerëz dhe do t’më shohin si njeri që nuk e dua bashkimin e shqiptarëve (madje ndoshta si dikush që është pro ‘Zajednicës’). Këta janë ata të njëjtit që më kanë shtyrë me vite të zgjedh vetëm njërën anë, t’ju tregoj se çka jam.
Unë jam kategorikisht kundër ‘Bashkësisë’, të kuptohemi! Unë dua bashkimin e shqiptarëve, por jo vetëm. Dua bashkim të shqiptarëve, serbëve, turqve, romëve, kroatëve, egjiptianëve, të gjithë tjerëve të cilët jetojnë në këtë vend. Dua që udhehëqësit e mi të mos bëjnë ndarje dhe të mos përfaqësojnë vetëm interesat e njërës palë. Dua që të keni një vizion për të ardhme të përbashkët, për të gjithë, pa marrë parasysh çka jemi.
Përfaqësim për një jetë të mirë e të shëndoshë, në harmoni!
Si prisni ju që të keni përkrahjen e minoriteteve tjera nëse në njërën anë jeni kundër Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, por nga ana tjetër synoni një bashkim tjetër?
E kujt është kjo Kosovë? Dhe, pse duhet ta falim, apo ta copëtojmë? Apo, ndoshta paragjykoni e supozoni se ajo çka të gjithë dëshirojnë në Kosovë dhe çka është më e mira për të gjithë, është bashkimi kombëtar pa marr parasysh cilit komunitet i përkasin qytetarët e Kosovës? Apo, ndoshta minoritetet tjera të Kosovës nuk janë edhe fort të rëndësishme, e nuk ka dert se çka duan?
Me 28 Nëntor, e zhgënjyer me faktin që manifestimi për të cilin dola kundër copëtimit të Kosovës u shndërrua në diçka krejt tjetër nga ajo që ishte thirrur, vazhdova të ecja përgjatë sheshit Nëna Tereze, kokulur e me lot në sy, me ndjenjën që isha mashtruar.
Dikush më thirri emrin. Ishte tezja X, fqinja ime gorane e cila kishte dalë të shiste produktet e saja punëdore në panairin që ishte vendosur një ditë më parë.
“Blej shqip. Blej prodhime shqiptare”, thoshte posteri gjigant, i cili ishte vendosur në shesh nga ana e Komunës qe drejtohet nga Lëvizja juaj.
Ne moment kuptova se të gjithë ata si unë, qe iu është imponuar të zgjedhim se çka jemi (vetëm njërën anë) në të kaluarën, ndoshta nuk do të mund ta kenë as këtë mundësi të zgjedhjes në të ardhmen, nëse ju vini në pushtet, pasi që ju vetëm se keni vendos se çka duhet të jemi të gjithë./ Gazeta Sinjali/