image Këshilltarja e Kurtit: Sot jam ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë

Rajon

Këshilltarja e Kurtit: Sot jam ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë

news image

Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se sot është ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë në Muçibabë.

Ajo ka thënë se arsyetimi i policëve kufitarë ishte: “Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.

“Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jetë mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.”

Ajo ka shkruar se ndalimi nga policia në kufi është njëra nga metodat e diskriminimit shtetëror serb ndaj shqiptarëve.

Postimi i plotë:

Sot, rreth orës 10:00 në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë, jam ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë.

Arsyetimi i vetëm që mu dha nga policët kufitarë të Serbisë “Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.

Asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin.

Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jet mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ky rast, sigurisht do të jetë vetëm shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë për diskriminimin shtetërorë serb ndaj shqiptarëve.

E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë.

/GazetaSinjali/