Këshilltari për tregtinë në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro, tha se ai kishte qenë në sallë me Presidentin Donald Trump dhe Presidentin kinez Xi Jinping gjatë takimit mes tyre, por në asnjë rast nuk kishte dëgjuar që presidenti i SHBA-së të kërkonte ndihmën e Kinës për të fituar garën për rizgjedhje.
Zoti Navarro i tha rrjetit CNN se pretendimet e bujshme të bëra në një libër të ish këshilltarit të sigurisë kombëtare John Bolton ishin “thjesht marrëzi”, po të kihet parasysh se sa i ashpër është treguar zoti Trump ndaj Kinës dhe praktikave të saj të padrejta tregtare.
“Nuk e kam dëgjuar kurrë diçka të tillë. Unë kam qenë vetë në sallë”, tha zoti Navarro, duke i bërë jehonë komenteve të Përfaqësuesit amerikan të Tregtisë Robert Lighthizer javën e shkuar.
Bolton duhet të përballet me pasoja, përfshirë dënim të mundshëm me burg, për përdorimin e “informacionit tepër të klasifikuar” në librin e tij, tha zoti Navarro.
Peter Navarro, një zyrtar i njohur për qëndrimet e ashpra ndaj Kinës, solli gjithashtu në vemendje mosmarrëveshjet rreth origjinës së koronavirusit të ri që ka rritur tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kohët e fundit, edhe pse më 1 në janar dy ekonomitë më të mëdha të botës nënshkruan një marrëveshje tregtare të fazës së parë.
Ai tha se virusi ishte “një produkt i Partisë Komuniste Kineze dhe mbetet një pyetje e hapur nëse virusi ka qenë krijuar qëllimisht.”
“Ky virus doli nga Kina,” tha ai. “Partia Komuniste Kineze është përgjegjëse për të. Ata e nxorën virusin në Kinë, e fshehën për dy muaj, dhe shkaktuan vdekjen e mbi 100,000 amerikanëve”.
Kina ka kundërshtuar me forcë çdo pretendim se e nxori virusin me qëllim.
Javën e kaluar, Presidenti Trump përsëriti kërcënimin për të ndërprerë lidhjet me Kinën, duke shkruar në Twitter se “një shkëputje e plotë nga Kina” mbetet një opsion politik për Shtetet e Bashkuara./ Gazeta Sinjali/