image Këshilltari i Pacollit për rastin "Panda": Serbia vrau serbë për të fajësuar UÇK-në

Kosovë

1998/ Këshilltari i Pacollit për rastin “Panda”: Serbia vrau serbë për të fajësuar UÇK-në

news image

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë se sulmi ndaj civilëve serbë në “Panda Café”, në Pejë natën e 14-15 dhjetorit të vitit 1998, ndodhi me urdhër të Shërbimit të Inteligjencës  Serbe, sipas tij, me qëllim fajësimin e UÇK-së.

Sipas Zyberajt, vetëm përmes incidenteve të tilla Serbia mund ta bindte bashkësinë ndërkombëtare se UÇK ishte “organizatë terroriste”.

“Sulmi në Panda Café ishte një sulm ndaj civilëve serbë në qytetin e Pejës natën e 14-15 dhjetorit 1998. Dy burra të maskuar hapën zjarr në Kafe duke vrarë gjashtë të rinj serbë, pesë prej të cilëve ishin adoleshentë dhe duke plagosur 15. Qëllimi i kësaj vrasje me urdhër të Shërbimit të Inteligjencës Serbe ishte fajësimi i UÇK-së për vrasjet dhe të bëjë bashkësinë ndërkombëtare të besojë Beogradit që UÇK-ja është një organizatë terroriste”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë thotë se Beogradi ka sakrifikuar serbë për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër shqiptarëve. Ai gjithashtu pyet nëse kjo çështje do të trajtohet nga Gjykata Speciale në Hagë.  

“Shumë shqiptarë u persekutuan për këtë krim, disa u vranë. Sa incidente të tilla ka pasur inteligjenca serbe vetëm për të fajësuar UÇK-në dhe shqiptarët. Çështja pse ne nuk e dimë këtë është sepse asnjëherë nuk është sjell drejtësi për krimet e luftës që Serbia ka kryer në Kosovë. Pyetja është se a do të trajtohet çështja e Pandës edhe nga Gjykata Speciale. Pse nuk shkruan një raport në lidhje me këtë Dick Marty. Gjithashtu sistemi ynë i drejtësisë nuk bëri asgjë për të sjellë dritë në këtë rast”, ka përfunduar Zyberaj. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/jetliri88/posts/10215517766393105