image Këshilli i prindërve thotë se po e paguajnë faturën e inateve mes Qeverisë e mësimdhënësve

Arsim

Këshilli i prindërve thotë se po e paguajnë faturën e inateve mes Qeverisë e mësimdhënësve

news image

Këshilli i Prindërve i Kosovës vlerëson se ata dhe fëmijët e tyre janë pala e vetme e dëmtuar nga grevat dhe protestat e mësimdhënësve, të cilët po kërkojnë miratimin e ligjit për paga.

Përmes një reagimi të premten për shkak të mbajtjes së protesave nga mësimdhënësit sot në Prishtinë, ky këshill vlerëson së prindërit dhe nxënësit po paguajnë faturat e mosveprimeve dhe inateve mes Qeverisë dhe mësimdhënësve.

“Por ndërsa Qeveria nuk lëviz në miratimin e Ligjit të Pagave, sipas premtimeve të dhëna nga vetë ajo, e njëkohësisht nuk interesohet për dialogun social; dhe nga ana tjetër SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi; ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese. Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës) dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik”, thuhet në reagim.

Sipas këshillit, është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet nga qeverisja në Kosovë.

“Ne gjykojmë se është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet (sidomos) nga qeverisja në Kosovë, duke besuar fort se një nga arsyet kryesore të emigrimit të qytetarëve nga Kosova është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Andaj jo rastësisht për 12 vjet i kemi rreth 100 mijë nxënës më pak në sistemin edukativo-arsimor parauniversitar në Kosovë. Sidoqoftë rezultati i këtij procesi, dhe kushdo qoftë “fituesi” në cak, sigurt është që sistemi publik edukativo-arsimor në Kosovë është pandalshëm në degradim”, përfundon reagimi.

/GazetaSinjali/