“Ka mangësi të mëdha strukturore dhe është thuajse i papërshtatshëm për t’u përdorur si institucion ndëshkimi”, e për pasojë, Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës i rekomandon autoriteteve shqiptare mbylljen e burgut të Tepelenës. Një raport i hartuar pas një vizite që një delegacion i këtij Komiteti, zhvilloi në Shqipëri në maj të vitit të kaluar vë në dukje se “mjediset e burgut të Tepelenës ishin të degraduara”.
Sipas dokumentit të publikuar të premten “qelitë e vendosura në katin përdhes ishin të ajrosura keq, shumë prej tyre gjithashtu ishin në gjendje të keqe për t’u riparuar. Dushet e përbashkëta ishin të rrënuara dhe pati ankesa të shumta nga të burgosurit për ngrohje të pamjaftueshme në dimër. Një numër të burgosurish mbaheshin në mjedise shumë të ngushta, ku qelitë ofronin më pak se 3 m2 hapësirë banimi për person”.
Në vlerësimin e Komitetit “situata aktuale në këtë institucion cenon seriozisht cilësinë e jetës së të burgosurve dhe kushtet e punës së stafit” duke vënë në pah se ndërhyrjet për përmirësime thelbësore do të ishin me një kosto shumë të lartë. “Prandaj Komiteti rekomandon që t’i jepet prioritet i lartë, tërheqjes nga shërbimi i këtij burgu”, nënvizon raporti.
Një situatë problematike paraqitet, sipas raportit, dhe në Bllokun A të burgut 313 në Tiranë, ku Komiteti shprehet i shqetësuar se “pavarësisht garancive të dhëna nga autoritetet shqiptare gjatë vizitës në vitin 2018, Blloku i vjetër A nuk i ishte nënshtruar një rinovimi të madh. Kushtet e ndalimit në këtë ndërtesë mbetën jashtëzakonisht të këqija (mbipopullim serioz, akses shumë i kufizuar në dritën natyrale, ajrim i dobët në qeli, mure me lagështirë, etj.) dhe në disa raste mund të konsideroheshin si trajtim çnjerëzor dhe degradues”. Por delegacioni thekson se ka marrë garanci se qeveria shqiptare ka ndarë fondet e nevojshme për rindërtimin e plotë të këtij Blloku.
Dhe në spitalet ku trajtohen të burgosurit, gjendja vlerësohet kritike në disa raste. “Pavarësisht përmirësimeve të dukshme të bëra në Spitalin e Burgut të Tiranës, Komiteti vazhdon të konsiderojë se kushtet e jetesës që u ofrohen pacientëve mbeten të papërshtatshme”, shkruhet në raport. Po ashtu dhe një mjedis i përkohshëm, i përshtatur në burgun e Lezhës, ku strehohen pacientë të burgosur që më parë ishin mbajtur në Institucionin e Posaçëm për të paraburgosurit me sëmundje mendore në Zahari të Krujës, vuan nga “mbipopullimi, mungesa e personelit mjekësor dhe terapeutik, ndërsa ndërtesa është e papërshtatme”. Një situatë e cila sipas raportit “zhbën, thuajse totalisht, çfarëdo kontributi pozitiv që mund të ishte bërë, pas transferimit në 2021. Akoma më keq, nëse numri i pacientëve vazhdon të rritet, kushtet e jetesës në objektin e përkohshëm mund të degradojnë lehtësisht edhe më tej, deri në një trajtim çnjerëzor dhe degradues”. Sipas dokumentit, autoritetet shqiptare synojnë ndërtimin e një objekti të ri që të mbledhë të gjithë pacientët me probleme shëndetësore, kryesisht mendore, e se për këtë kanë aplikuar për financim në kuadër të Instrumentit III të Asistencës Para-Aderimit të Bashkimit Evropian.
Një problem madhor, i trashëguar në kohë, mbetet mbipopullimi në burgje e në paraburgim. Shqipëria vlerësohet të ketë “një nga nivelet më të larta të burgosjeve ndër vendet anëtare të Këshillit të Evropës”. Numri i të paraburgosurve është rritur me 22 përqind, duke përbërë me shumë se gjysmën e popullsisë së burgjeve. Komiteti vë në dukje se ky fenomen “siç pranohet nga autoritetet, mbeti një sfidë kryesore për administratën e burgjeve në sigurimin e kushteve të kënaqshme të jetesës në të gjithë sistemin e burgjeve”. Sipas raportit “autoritetet shqiptare duhet t’i kushtojnë një prioritet të lartë masave të projektuara për të trajtuar problemin e mbipopullimit të burgjeve në rrënjët e tij, në mënyrë që t’i jepet një fund një herë e mirë këtij fenomeni. Në veçanti, duhen bërë përpjekje të forta për të kufizuar përdorimin e paraburgimit, dhe për të shkurtuar kohën e kaluar nga të burgosurit në ambientet e paraburgimit, me synimin për të ndalur rritjen e vazhdueshme të popullsisë së paraburgosur dhe për të përmbysur tendencën e deritanishme”.
Raporti ndërkohë, ka konstatuar pozitivisht faktin që të ndaluarve nuk u pengohet qasja për të patur një avokat mbrojtës, si dhe trajtimin e personave që kishin qenë në paraburgim apo institucione policore, përveç disa episodeve të izoluara. Megjithatë Komiteti vlerëson se “ende kërkohet një veprim i fuqishëm shtesë për të çrrënjosur keqtrajtimin e policisë”. /VOA