image Kërkojnë nisjen e mësimit, por Ministria vetë s’është gati - Nuk ka libra për nxënësit

Arsim

Kërkojnë nisjen e mësimit, por Ministria vetë s’është gati – Nuk ka libra për nxënësit

news image

Kërkon nisjen e mësimit, por as vetë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk është gati. Nëse do të fillonte procesi mësimor, shumë nxënës do të mbetëshin pa libra. Burime të Nacionales, konfirmojnë se për disa klasë nuk është bërë ende shpërndarja e librave.

Në një konferencë për media më 31 gusht, ministrja Arbërie Nagavci kishte thënë se është bërë shpërndarja e librave dhe se të gjithë nxënësit do të pajisen komplet me tekste të reja.

Të njëjtën, e kishte deklaruar edhe më 24 gusht për Radiotelevizionin Publik, ku kishte thënë se përveç klasëve të pesta, që është procedurë e veçantë, ndarja e teksteve të tjera ka nisur dhe se nxënësit do t’i kenë nga një shtatori.

“Është në finalizim edhe procesi i ndarjes së teksteve shkollore, nga klasa e 1 deri në të 9. Dëshira ime ka qenë që më herët, por synimi është që para fillimit të ri shkollor të ndahen. Në mënyre që në ditën e parë, nxënësit të kenë librat në duart e tyre. E rëndësishme është ëqë më datën 1 shtator të jenë të gjitha tekstet”, kishte deklaruar Nagavci.

Sidoqoftë, e vërteta nuk qëndron kështu. Burime të Nacionales kanë konfirmuar se në disa qytete, librat për disa klasë nuk janë shpërndarë plotësisht, duke përfshirë këtu klasën e dytë, të tretë, të katërt, dhe të tetë.

Ndërkaq, as librat e klasës së pestë, për të cilët Nagavci deklaronte se janë në proces e sipër, nuk janë shpërndarë ende.

17 ditë pasi parashihej të fillonte mësimi, ka mungesë të librave dhe në rast se nuk do të ishte grevë, nxënësit do të kishin mungesë të tyre.

Në lidhje me mungesën e teksteve, Nacionale bisedoi me drejtorin e Arsimit në Komuënën e Podujevës, Avni Fetahu, atje ku ka nisur të mbahet mësimi në disa shkolla.

Ky i fundit na tha se klasët e pesta nuk kanë ende libra.

Pyetur nga Nacionale për të tjerat, ai u përgjigj shkurt me “Po”, por pa dhënë më shumë detaje.

Greva

Procesi mësimor në Kosovë nuk ka nisur ende, pasi sindikatat dhe Qeveria nuk kanë arritur të gjejnë kompromis, ani se këto të paratë, kanë thënë se janë të gatshme për një marrëveshje.

Sindikatat, duke përfshirë edhe ajo e arsimit, po kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, por Qeveria po refuzon një kërkesë të tillë.

Qeveria përmes një pakoje të prezantuar, ka ndarë nga 50 euro shtesë për punonjësit e sektorit publik, por SBASHK-u ka deklaruar se nuk pranon që shuma të jetë shumë më e vogël se 100 euro.

Kryeministri Kurti në anën tjetër, dhe vartësit e tij, kanë sulmuar në vazhdimësi sindikatën, në veçanti kryesindikalistin Rrahman Jasharaj.

Ai ka thënë se SBASHK-u po e shantazhon shtetin, derisa nuk la pa përmendur edhe komunat, të cilat tha se i kanë shpallur luftë duke e respektuar grevën.

Ministria e Financave ndërkohë, ka ndaluar pagesat e muajit gusht, krejt kjo për shkak të grevës.

/GazetaSinjali/