image Kërkohet zbardhja e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë

OSBE/ Kërkohet zbardhja e vrasjeve të gazetarëve në Kosovë

news image

Katër gazetarë raportohen si të zhdukur dhe 11 të tjerë të vrarë, për të cilët kanë kërkuar drejtësi sot familjarët e tyre dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Në konferencën e organizuar nga AGK dhe OSBE për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë për periudhën 1998-2005, është kërkuar që urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve të vihen para drejtësisë.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se familjarët e gazetarëve të vrarë meritojnë të dinë se çka ka ndodhur me familjarët e tyre.

Ai tha se përkundër sfidave në Kosovë indeksi i lirisë së shprehjes e rendit Kosovën në vendin e 75. Ai vlerwson kwtw si njw ngritje dhe thotw se Kosova është më së miri në rajon sa i përket lirisë së shprehjes.

Ambasadori Braathu përmendi se janë 18 raste të gazetarëve që janë kërcënuar gjatë këtij viti në Kosovë.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina, tha se gazetarët nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për kolegët e tyre të vrarë.

Ajo u ka kërkuar OSBE-së, dhe të gjithë organizatave dhe ambasadave për krijimin e një fondi, që do të kontribuonte për hulumtimin dhe që do të shërbente si kujtim për gazetarët e vrarë.

Zgjidhje të rasteve të vrasjeve të gazetarëve ka kërkuar edhe Kryesues i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Niçiq.

Në këtë konferencë kanë folur edhe familjarët e gazetarëve të vrarë.

Beriana Mustafa, vajza e gazetarit Xhemail Mustafa, tha se është patetike që në një Kosovë të vogël nuk është zgjedhur asnjë rast i gazetarëve të vrarë. Ajo tha se për ta si familjarë është e rëndësishme të dinë se urdhërdhënësit janë dënuar.

Diar Popova, djali i gazetarit të vrarë Shefki Popova, tha se institucionet kanë dështuar të zgjidhin rastet e gazetarëve të vrarë.  Ai tha se shpreson që urdhërdhënësit do të dalin para drejtësisë./Gazeta Sinjali/