image Kërkohet shkarkim i gjykatësve, prokurorëve e policëve që neglizhojnë dhunën ndaj grave

Drejtësi

Kërkohet shkarkim i gjykatësve, prokurorëve e policëve që neglizhojnë dhunën ndaj grave

news image

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut organizatat e shoqërisë civile me pankarta në duar me mbishkrime “Polici seksiste”, “asnjë ma shumë”, “boll ma” marshuan nga sheshi në drejtim të objektit të policisë, prokurorisë e Këshillit Gjyqësor. Aty edhe u vendosën këto pankarta.

Kështu ata po kërkojnë drejtësi për gratë e vrara, të dhunuara, të ngacmuara e drejtësi për 11-vjeçarin Kujtim Veselin që u përdhunua e më pas u vra. Institucioneve shtetërore po u kërkohet që të plotësohen kërkesat e personave me aftësi të kufizuara. Po ashtu Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të marrë masa urgjente për ofrimin e një shoqërie të sigurt për personat LGBTI.

Protestuesit kanë brohoritur edhe se, “Ngacmim seksual është krim”, “Trupi jem e drejta jem”, ”Transgratë janë gra”, “Poshtë transfobia”, “Kush na mbron prej policës?”, “Kush na mbron prej prokurorisë”, “Gjykatë seksiste”, “Prokurori seksiste”.

Valmira Rashiti nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga institucionet kompetente që të monitorohen, sanksionohen apo edhe të shkarkohen gjykatësit e prokurorët të cilët janë faktor për neglizhencën e dhunës sistematike ndaj grave.

 “Sot ne kërkojmë prej qeverisë që dhuna në baza gjinore të trajtohet si urgjencë kombëtare, që të monitorohen, sanksionohen apo shkarkohen gjykatësit, prokuroritë policët të cilët janë fajtorë për neglizhencën ndaj dhunës sistematike që po iu ushtrohet grave. Të mos lirohen dhunuesit me procedurë të rregullt dhe të mos rishqyrtohen dënimet kur krimet e tyre përmbajnë krejt rrethanat rënduese por të dënohen proporcionalisht me kodin penal të Kosovës. Është koha që të institucionalizohet mbrojtja e jetëve të grave dhe të kërkohet llogari institucionale për to. Drejtësi dhe siguri për gratë”, tha ajo.

Fatmir Mekshe thotë se rasti i përdhunimit dhe vrasjes së 11-vjeçarit Kujtim Veseli në 2019-tën është një dështim i të gjitha hallkave të drejtësisë në Kosovë.

 “Dy rastet e fundit në Prizren dhe Gjakovë shpërfaqin edhe njëherë mentalitetin racistë në shoqërinë tonë që fatkeqësisht mirëmbahet nga institucionet shtetërore. Rasti i Kujtim Veselit, fëmijë ashkalinj 11 vjeçar i përdhunuar dhe i vrarë në 2019 është një shembull i dështimit i të gjitha hallkave të drejtësisë në Kosovë[…] U bëjmë thirrje të gjithë akterëve shtetëror të trajtojnë më seriozisht shkeljet flagrante të të drejtave të komuniteteve të të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë dhe të reagojnë me kohë. Drejtësi për Kujtim Veseli”, tha ai

Në këtë protestë u kërkua edhe që të plotësohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Gentiana Hasani nga Handikos tha se edhe pas kaq shumë vitesh po përballen me sfida bazike.

 “Sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut kërkojmë që të plotësohen të drejtat dhe kërkesat e personave me aftësi të kufizuara. Fatkeqësisht edhe pas kaq vitesh ne ende përballemi me sfida bazike, siç janë qasja në ambiente publike e private, qasja dhe barrierat në arsim, punësim dhe në marrjen e shërbimeve. Andaj sot bëjmë thirrje që t’i themi jo diskriminimit”, tha Hasani.

Nol Musa nga YIHR tha se qeveria duhet të marrë masa urgjente për ofrimin e një shoqërie të sigurtë për personat LGBTI.

 “Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa urgjente për ofrimin e një shoqërie të sigurt për personat LGBTI. Që nga krijimi i qeverisë Kurti nuk ka asnjë plan konkret për LGBTI e këto komunitet vazhdojnë të jetë një nga komunitetet më të rrezikuara dhe më të diskriminuara nga shoqëria kosovare[…]të gjithë personat, lesbike, gay, biseksual, transgjinor, inter-seks jo binar janë taksapagues të këtij shteti dhe të drejtat i kanë të garantuara me ligj dhe kushtetutë. Shteti duhet të fokusohet në parandalimin e fatkeqësive e jo të marrin masa para se këto të ndodhin”, theksoi ai. 

/GazetaSinjali/