image Kërkohet që qeveria të ndajë 300 milionë euro për sektorin privat, subvencionimin e pagave dhe qirave

Kosovë

Ekonomi/ Kërkohet që qeveria të ndajë 300 milionë euro për sektorin privat, subvencionimin e pagave dhe qirave

news image

Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kërkojnë nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës që të prezantojë me prioritet pakon e masave emergjente në mbështetje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga masat e ndërmarra për përhapjen e pandemisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Duke përsëritur qëndrimin e tyre se mbrojtja e sektorit privat, sipas tyre është jetike për një ekonomi të qëndrueshme dhe mirëqenie, ashtu si edhe për të ruajtur aftësinë e shtetit për mbledhjen e të hyrave buxhetore.

“Organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, ritheksojnë nevojën e përpilimit dhe zbatimit të një programi të mbështetjes qeveritare me qëllim të ndërhyrjes së shpejtë dhe gjithëpërfshirëse për shpëtimin e vendeve të punës”, thuhet në komunikatën e tyre të përbashkët.

Mbyllja e ndërmarrjeve të shumta për shkak të masave qeveritare për parandalimin dhe kontrollimin e përhapjes së COVID-19, si dhe vonesa e institucioneve për t’u dalë në ndihmë, sipas tyre kanë lënë një numër të madh të punëtorëve pa të ardhura që nga muaji mars. Kështu, vlerësojnë se një situatë e tillë do të ndikonte në thellimin e mëtejmë të gjendjes, tashmë të vështirë sociale në vend.

Prandaj organizatat e biznesit i kërkojnë Qeverisë që jo më larg se këtë javë të aprovojë programin e likuiditetit i cili do të përfshinte: (1) Një pako financiare në vlerë prej së paku 300 milionë eurosh për fazën emergjente, (2) Subvencionimin e pagave për punonjësit e të gjitha ndërmarrjeve, aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, (3) Subvencionimin e pagesave të qirasë për të gjitha ndërmarrjet, aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, dhe (4) Subvencionimin e të gjitha shpenzimeve të tjera operative për të gjitha ndërmarrjet aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe.

“Organizatat e biznesit besojnë fuqishëm se Kosova ka kapacitetet e nevojshme buxhetore për ndërhyrje financiare, që do të mund të realizohej përmes riorientimit të mjeteve të planifikuara për investime kapitale, në programin e propozuar të likuiditetit. Po ashtu, odat ekonomike rikujtojnë Qeverinë se përqindja e borxhit publik ndaj bruto produktit vendor është e ulët, gjë që lejon hapësirën e nevojshme për rritje të nivelit të huamarrjes me qëllim të mbajtjes së rritjes ekonomike në nivel të dëshiruar”, thuhet në komunikatën e tyre.

Po ashtu, këto organizata vlerësojnë që qeveria në detyrë duhet të nisë menjëherë përpilimin e një programi të rimëkëmbjes për fazën e paspërfundimit të pandemisë COVID-19, i cili do të përfshinte mjete monetare nga buxhet i i vendit, por edhe nga organizatat financiare ndërkombëtare. Organizatat nënshkruese të kësaj deklarate kërkojnë edhe Kuvendi i Kosovës që të mbështesë masat e prezantuara nga Qeveria në detyrë, përfshirë edhe rishikimin e nevojshëm të buxhetit të vitit 2020.

Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, u zotuan që të ofrojnë përkrahjen e parezervë dhe ekspertizën e tyre në përpilimin e programit, por edhe në identifikimin e fondeve të vëna në dispozicion për qeveritë dhe sektorin privat në shtetet e prekura nga pandemia./Gazeta Sinjali/