Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paralajmëruar mbajtjen e provimit të maturës në mënyrë virtuale pas rrezikshmërisë së krijuar nga koronavirusi.
Polemikat e krijuar se mbajtja e provimit të maturës mund të dërgoj në dështimin e procesit të provimit, i ka hedhur poshtë ish- kryetari i Komisionit të Maturës, njëherë zëvendësdrejtor në Qendrën për avancimin e perforamancës së arsimit, Nehat Mustafa.
Mustafa në një intervistë tha se testi i maturës duhet të mbahet, por sipas tij MAShT-i duhet të bëjë ndryshimet e domosdoshme për vitin 2020, të cilat janë në interes të maturantëve.
Ai ka kërkuar që të bëhet riorganizimi i Provimit, duke hequr kriterin e kalueshmërisë për ta zëvendësuar me arritshmëri.
Përveç kësaj, ai tha se duhet të zvogëlohet numri i pyetjeve nga 200 në 120, po ashtu kjo do të mundësonte sipas Mustafës që provimi të mbahet vetëm një ditë, duke hequr afatin e muajit gusht.
“Testi i maturës duhet të mbahet për arsye se tani janë krijuar rrethanat e tilla se nuk është problem organizimi qoftë përmes formës online por edhe ndoshta përmes formës fizike, për arsye se tani jemi dëshmitarë të asaj që ka filluar lehtësimi i masave sa i përket kufizimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Mustafa.
Sipas tij, Ministria e Arsimit duhet të merr vendim që të hiqet kriteri i kalueshmërisë dhe të kalohet në kriter të arritshmërisë.
“Mund të kemi ndryshime në numrin e pyetjeve, në ditët e testit dhe mund të kemi ndryshime në kriterin e kalueshmërisë. Numri i pyetjeve dhe numri i ditëve të organizimit të testeve kjo është më lehtë e organizueshme dhe e dëshirueshme e cila mund të bëhet për një ditë duke hedhur poshtë afatin e muajit gusht, kjo do të ishte mundësi edhe për nxënësit të cilët kanë mbetur vitin e kaluar në provimin e maturës. Për ta lehtësuar gjendjen e maturantëve Ministria e Arsimit duhet të merr vendim që të hiqet kriteri i kalueshmërisë dhe të kalohet në kriter të arritshmërisë”, ka thënë Mustafa.
Mustafa theksoi se provimet sjellin stres tek maturantët të cilët i nënshtrohen provimit, e sipas tij kjo luan rol të drejtpërdrejtë për regjistrim në arsimin e lartë.
Ai kërkoi nga KSHM dhe MAShTI që të lehtësojnë stresin nëpër të cilin po kalojnë gjithë nxënësit dhe studentët në këtë periudhë të pandemisë botërore.
“Studimet kanë treguar se testet e provimet në përgjithësi në vetëve përbëjnë stres por në veçanti stres është provimi i maturës për maturantët. Duke pasur parasysh situatën nëpër të cilën kemi kaluar pandeminë institucionet tona duhet të mendojnë shumë seriozisht në mënyrë që të marrin masa të tilla të cilat do ta lehtësojnë stresin e maturantëve sa i përket provimit shtetërorë të maturës”
“Numri i kërkesave (pyetjeve) mund të zvogëlohet nga 200 në 120 (nga 30 për një lëndë) dhe kjo automatikisht do të zvogëlonte edhe numri e ditëve nga dy në një (duke qenë se janë 120 pyetje kohëzgjatja mund të ishte 4 orë – 240 min). Kjo edhe mund të bëhet lehtë, sepse në ligj askund nuk precizohet se sa duhet të jetë numri i kërkesave (pyetjeve) për një lënde dhe numri i ditëve”, shtoi Mustafa për EO.
Mes tjerash, ai kërkoi nga Ministria e Arsimit përkatësisht Komisioni Qendrorë Shtetërorë i Maturës që të ketë parasysh këto ndryshime.
Pasi siç tha ai, ky ndryshim i domosdoshëm do të përkrahej nga maturantët, prindërit dhe shkollat në këtë kohë të pakohë./ Gazeta Sinjali/