Një aksion i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prizren ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për veprën penale të fajdesë, mes tyre biznesmeni nga Suhareka, Habib Tafaj, dhe Burim Kuqi.
Sipas hetimeve, rasti lidhet me veprime që dyshohet se janë kryer që nga viti 2021, ku të dyshuarit Habib Tafaj dhe Burim Kuqi dyshohet se kanë ushtruar presion ndaj viktimave L. S. dhe M. S., me qëllim përfitimin e kundërligjshëm përmes fajdesë.
Më 5 qershor 2026, Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në koordinim me Prokurorinë Themelore, ka realizuar arrestimin e të dyshuarve dhe ka zhvilluar veprime hetimore për sigurimin e provave.
Pas intervistimit nga organet hetimore, Habib Tafaj është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa Burim Kuqi me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit për veprën penale “Fajdeja”.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet rezulton se në shtator të vitit 2021 është lidhur një marrëveshje huazimi në shumën prej 50,000 euro, me kushte të rënda financiare, ku më pas janë kërkuar dhe përfituar shuma shumëfish më të larta se borxhi fillestar.
Prokuroria dyshon se përmes presionit të vazhdueshëm ndaj familjarëve dhe kërkesave për pagesa, të dëmtuarit kanë paguar rreth 150,000 euro, pa përfshirë borxhin bazë.
Hetimet po vazhdojnë edhe për një person tjetër të dyshuar për veprën penale “Manipulimi me prova”, me dyshime për pengim të procedurës penale.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë juridike dhe ekonomike të qytetarëve.
Rasti është raportuar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!