Dy aktivistët e Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi dhe Genc Sherifi, sot pritet të dalin para Gjykatës lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, si të dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar, gjatë protestës së 29 janarit.
Ata u arrestuan nga Policia më 14 shkurt, gjatë një proteste tjetër të kësaj partie në objektet e ZRrE-së. Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është bërë vetëm ndaj Nushit dhe Sherifit, raporton Gazeta Sinjali.
Në protestën e 14 shkurtit, Policia ka arrestuar 13 zyrtarë të kësaj partie, përfshirë kryetarin Dardan Molliqaj.
Sipas njoftimit të lëshuar atë ditë nga Policia e Kosovës, arrestimet erdhën pasi që vazhdimisht u ishte bërë thirrje protestuesve të Partisë Socialdemokrate(PSD) që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, mirëpo që të njëjtit nuk ishin bindur.
“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore.”