image Kërkohet paraburgim për zv/drejtorin që dyshohet se e sulmoi seksualisht nxënësen në Malishevë

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për zv/drejtorin që dyshohet se e sulmoi seksualisht nxënësen në Malishevë

news image

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë për paraburgim ndaj zëvendësdrejtorit të gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, Atom Krasniqit, pasi dyshohet për sulm seksual ndaj një nxënëseje.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit A.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”. Rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 20 dhjetor 2021″.

Drejtori i këtij gjimnazi, Izet Hoti, tha për Gazetën Sinjali se drejtoria e shkollës është njoftuar nga nxënësja, e cila kishte shkuar dje bashkë me prindin e saj.

“Të hënën rreth orës 12:00, nxënësja së bashku me prindin e saj ka ardhur në shkollë dhe është anku te ne, në të njëjtën kohë edhe te organet policore. Ne kemi qenë në koordinim me organet kompetente pastaj”, tha ai.

Ai bëri të ditur se zëvendësdrejtori nuk është arrestuar në shkollë.

Babai i nxënëses, i cili e paraqiti mbrëmë rastin në Polici, pretendon se zëvendësdrejtori i këtij gjimnazi e ka sulmuar seksualisht të bijën e tij, në njërën nga banjot e shkollës.

Sipas tij, vajza e tij ka qenë brenda në tualet, kur aty është futur edhe zëvendësdrejtori i cili dyshohet se ka filluar ta sulmojë seksualisht të miturën.

Sinjali mëson se lidhur me këtë rast është intervistuar i dyshuari dhe disa dëshmitarë.

Këto informacione për Gazetën Sinjali i kanë konfirmuar nga Drejtoria e Policisë në Gjakovë. Nga kjo drejtori njoftuan se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

/GazetaSinjali/