image Kërkohet paraburgim për shtetasin turk që dyshohet për përfshirje në laboratorin e drogës në Suharekë

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për shtetasin turk që dyshohet për përfshirje në laboratorin e drogës në Suharekë

news image

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Fet’hi Uygur, i cili u arrestua para dy ditësh, si i dyshuar për rastin e laboratorit të drogës që u zbulua muajin e kaluar në Suharekë.

Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari “nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, ka kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me të pandehurit: A.R., E.M., F.M., E.D., M.V., dhe A.M., kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë- Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit të cekur, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa.”

I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Uygur po ashtu dyshohet se pa autorizim ka poseduar marihuanë, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, që i ka siguruar nga kultivimi i bimës narkotike. Kështu ai dyshohet edhe për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

/GazetaSinjali/