Një rast alarmant i ngacmimit seksual është raportuar në shkollën “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, ku një punëtor i bufesë dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur. Sinjali raportoi të enjten për këtë incident të rëndë, ndërsa tashmë është zbuluar emri i të dyshuarit.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet D.Ll., ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet D.Ll., me datë 26.03.2025 në Gjakovë, saktësisht në Shkollën Fillore të Ulët “M.K.”, e ngacmon seksualisht personin tjetër, e cila është e ndjeshme për shkak të moshës, duke u përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale ndaj të dëmtuarës/e mitur, veprime këto me të cilat të dëmtuarës/e mitur, i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis objektivisht frikësues, degradues dhe poshtërues“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti është raportuar më 26 mars nga prindi i viktimës, i cili ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe si rezultat, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka siguruar prezencën e të dyshuarit.
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Dren Lluhani (38-vjeçar).
I njëjti fillimisht ishte në arrati, por më pas është vetëdorëzuar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Gjakovë.
Ai është intervistuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.