image Kërkohet paraburgim për pesë të dyshuarit për vrasjen e 23-vjeçarit nga Malisheva

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për pesë të dyshuarit për vrasjen e 23-vjeçarit nga Malisheva

news image

Vendi u trondit mbrëmë nga një vrasje që ndodhi pas kohës së iftarit, ku te Ujëvara e Mirushës, në aksin rrugor Klinë-Gjakovë, mbeti i vrarë 23-vjeçari Fazli Hoxha nga Malisheva dhe u plagosën dy vëllezërit e tij. Policia ka arrestuar pesë persona të dyshuar, të cilët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. Ndaj tyre, sot do të bëhet kërkesë për paraburgim, raporton Gazeta Sinjali.  

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. Ai njoftoi se pesë prej të ndaluarve dyshohen se në bashkëkryerje për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Sinjali raportoi mbrëmë se të dyshuarit për vrasje të rëndë janë: Agron Gashi, Ardit Gashi, Nderim Gashi, Basri Gashi dhe Bahri Gashi.

Pas arrestimit të të dyshuarve, Policia në shtëpitë e tyre nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë, teksa në vendin ku ndodhi krimi janë sekuestruar gjësende të rrezikshme si thika, zinxhir, lopatë, që për Prokurorinë flasin për një “pritë” klasike të organizuar nga të dyshuarit.

Motivi i vrasjes së 23-vjeçarit dhe plagosja e dy vëllezërve të tij

Sipas burimeve të Sinjalit, dy vëllezërit e të vrarit janë jashtë rrezikut për jetë. M.Hoxha u plagos me armë zjarri, derisa vëllai tjetër A.Hoxha pësoi lëndime nga sulmi me mjete të forta.

I riu që u vra sonte ka qenë djali më i vogël i familjes Hoxha nga fshati Gollubovc i Malishevës. Ai ka lënë pas vetes edhe 8 vëllezër të tjerë.

Motivi i kësaj tragjedie sipas informatave të para dyshohet se është hakmarrja për një incident të mëhershëm që ka ndodhur në Itali.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/