image Kërkohet paraburgim për gjinekologun Arsim Gashi, i dyshuari për sulmin ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë

Drejtësi

Kërkohet paraburgim për gjinekologun Arsim Gashi, i dyshuari për sulmin ndaj profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjinekologut, Arsim Gashi, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht profesoreshën e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi Pupovci, e cila po ashtu është edhe bashkëshortja e zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ju njoftojmë se, Prokuroria ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit me inicialet A.G., për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, të paraparë sipas KPRK-së, në Gjykatën Themelore në Prishtinë“, tha Ulaj për Sinjalin.

Kujtojmë se Sinjali ka raportuar dje ekskluzivisht për ngjarjen e pazakontë që ndodhi në Fakultetin e Mjekësisë, e cila për motiv kishte mosmarrëveshjen profesor – student, me ç’rast babai i Donatit, Arsimi, në shenjë pakënaqësie lidhur me ankesat e djalit të tij, dyshohet se ka grushtuar profesoreshën Pupovci dhe e ka sulmuar me mjet të fortë (gotë qelqi).

Ngjarja është raportuar edhe në Polici nga sigurimi i Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë kontaktuar me viktimën, kanë siguruar provat materiale dhe kanë marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë.

E lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali.

Po ashtu për gjithë ngjarjen është rrëfyer edhe profesoresha Pupovci e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ngjarja ka ndodhur si pasojë e pakënaqësisë së studentit me notën e provimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/