Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të miturave që dyshohen se torturuan bashkëmoshataren e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe sot pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.
Dy të miturat dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “kanosje”, ndërsa një prej tyre dyshohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të dyshuarat janë arrestuar nga Policia e Kosovës më 25 janar, pas publikimit të pamjeve ku shihet se torturojnë një të mitur.